Senatori Johnson thotë se Serbia duhet të njohë Kosovën, por...

  • 14 June 2019 - 23:11
Senatori Johnson thotë se Serbia duhet të njohë Kosovën, por...

Senatori amerikan, Ron Johnson, ka deklaruar se beson që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dëshirojnë të zgjidhin marrëdhëniet mes vendeve të tyre dhe e dinë se marrëveshja tek e cila vijnë ndoshta mund të mos jetë popullore në afat të shkurtër.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në edicionin serb, Johnson ka thënë se Thaçi dhe Vuçiqi kanë vullnet të mirë për të zgjidhur problemin, por në të njëjtën kohë janë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndë.

“Shpresoj se zgjidhja e tyre megjithatë do të jetë e mjaftueshme për sadopak përparim”, tha Johnson, i cili është Kryetar i Nënkomisionit për Evropë dhe bashkëpunimi rajonal për siguri në Komitetin e Senatit për Punët e Jashtme.

I pyetur a ekziston ndonjë mënyrë tjetër që të vazhdojë dialogu nëse Kosova s’e heq taksën, senatori amerikan tha se taksa, edhe pse në afatshkurtër mund të funksionojë si ide e mirë, në afatgjatë nuk i konvenon Kosovës. 

“Ajo që do të doja nga të dyja palët të kuptojnë është kjo: keni ngritur taksat, e keni kthyer vëmendjen e publikut, por tani duhet të ecni përpara dhe të angazhoheni seriozisht në zgjidhjen e këtij problemi të vjetër – në mënyrë që Kosova të jetë e njohur dhe në mënyrë që të arrijmë deri tek zgjidhja paqësore”, tha Johnson.

Ai tha se shpreson që kjo situatë të jetë e përkohshme, “që taka të jetë më pak e ngurtë, më e dobët apo e hequr fare”.

Sipas tij, njohja e ndërsjellë është qëllimi përfundimtar dhe arsyeja përse Kosova ka hyrë në dialog.

“E kuptoj se është politikisht e vështirë për presidentin Vuçiq. Ai duhet t’u tregojë qytetarëve të Serbisë se edhe Kosova i ka bërë disa lëshime. Marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë s’ka qenë aspak popullore politikisht në asnjërin nga vendet, por liderët ishin të guximshëm – dhe mendoj se e njëjta situatë është me Vuçiqin e Thaçin”, tha ai.

Senatori Johnson ka thënë se personalisht “mendoj se nuk ka vija të kuqe e as ide që s’duhen biseduar”, por në anën tjetër ka thënë se e kupton përse njerëzit shqetësohen nga korrigjimi i kufijve për shkak të efektit domino.

“Por në fund të fundit, gjithçka është në dorën e liderëve dhe qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës për të gjetur zgjidhje të cilat Amerika dhe Evropa duhet t’i mbështesin”, përfundoi senatori amerikan, Ron Johnson.

(Kosova Sot Online)