E zbulon eksperti: Deputetët e Kosovës nuk duhet të marrin paga të rregullta, por...

  • 15 June 2019 - 13:02
E zbulon eksperti: Deputetët e Kosovës nuk duhet të marrin paga të rregullta, por...

Shpërthimi i skandalit të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku nga komisioni i buxhetit është kthyer mbrapa dhe nuk është votuar Raportit të i Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tre mujorin e parë të vitit 2019, ka ngjallur edhe reagimin e njohës të afërt të skenës politike në vend.

Ish anëtar i KQZ-së dhe profesori universitar, Blerim Burjani, thotë se komisioni ka bërë një punë të mirë me refuzimin e raportit, pasi sipas tij vërtetë edhe Kuvendi dhe deputetë nuk synojnë tjetër, vetëm zhvatjen e taksës së qytetarit përmes rrugëve e veprimeve të ndryshme.

Image
Blerim Burjani

“Po kuptohet dita ditës se kjo klase politikë janë të gjithë gati njësoj, janë të ngjashëm, kanë probleme sociale dhe gjithë këta deputet pa dallim mundohen të zhvatin paranë me pagesa ekstra për komisione, udhëtime e mëditje”, tha Burjani për Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, duhet të nxirret një ligj i veçantë që e rregullon këtë çështje dhe për angazhimin e deputetëve në Kuvend të paguhen vetëm mëditje të veçanta, sipas nevojës, por jo paga të rregullta.

“Unë ka kohë që e kam thënë se Kuvendi nuk duhet të ketë paga të rregullta por mëditje për seanca, Kuvendi nuk është vend pune, këta deputet të gjithë pa dallim e trajtojnë vend pune edhe kuvendin e Kosovës, edhe pse sipas ligjeve dhe kushtetutës nuk kanë kontratë fare nga shteti, është krejt formacion i natyrës politike, mirëpo në shtetin tonë kjo është edhe një defekt tjetër i drejtësisë kosovare”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, me një proces të thellë të reformimit të institucioneve publike, duhet të ristrukturohen edhe institucionet e zgjedhura politike, sikur që është Kuvendi. 

“Duhet të eliminohet ky sistem defektoz juridik që e rregullon këtë çështje dhe në të ardhmen me një reformim të thellë duhet të përcaktohet me ligje dhe me rregullore që për punën e secilit deputet në Kuvend të përcaktohet një nivel i pranueshëm simbolik i mëditjeve. Kuvendi nuk duhet të shërben për paga të majme të atyre që janë kategori sociale dhe shpëtimin e kërkojnë në politike, edhe në Kuvendin e Kosovës. Kjo mënyrë e të bërit politik dhe angazhimit në institucion është zhvatje klasike e shtetit. Prandaj nevojitet një zgjidhje precize ligjore që në të ardhmen të hiqet pagesa mujore për deputet, të instalohet sistemi i mëditjeve sipas nevojës, dhe kjo pagese mujore si pagë e rregullt të zbatohet vetëm për drejtuesit kryesor të institucioneve shtetërore që për shkak të angazhimit të tyre në këto institucione nuk mundë të kenë punë tjetër, si kryeministri, ministrat, presidenti e krye parlamentari që pozita e tyre e kërkon të kenë punë të përditshme në krye të institucionit”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).