Deputeti i LDK-së ‘shpërthen’ ndaj Thaçit: Të dekorosh Fatos Klosin e akuzuar për vrasje, ose je i...

  • 10 June 2019 - 14:04
Deputeti i LDK-së ‘shpërthen’ ndaj Thaçit: Të dekorosh Fatos Klosin e akuzuar për vrasje, ose je i...

Përfaqësuesit e partive politike, veçmas të opozitës por edhe analistët politikë, thonë se është për keqardhje mënyra se si presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i imituar tani edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, janë duke e keqpërdorur pozitën e tyre për të ndarë dekorata kryesisht për interesat e tyre personale.

Skandal po vlerësohet dekorimi i Labinot Tahirit nga Ramush Haradinaj me medalje dhe dekorimi i Fatos Klosit nga Hashim Thaçi, i cili shumë herë është akuzuar për vrasje të ndryshme, e ish kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar edhe për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ish Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. 

Për këtë mënyrë të keqpërdorimit të pozitës kushtetuese, ka reaguar deputeti i LDK-së, Naser Rugova, sipas të cilit këtë mënyrë të devalvimit të institucioneve të shtetit e bëjnë vetëm regjimet despotike. 

Image
Naser Rugova

“Ndarja e dekoratave pa kritere, për interesa të politikës ditore dhe për pazare të këtij niveli është karakteristikë e vendeve që qeverisen ose nga despotët, apo edhe lider me mendësi mesjetare dhe kapacitete intelektuale të vobekta. Ky lidership institucional e ka rrëzuar për tokë imazhin e vendit”, tha Rugova për “Kosova Sot Online”.

Kulmi i këtij degradimi, sipas tij është kur i pari i shtetit dekorin të akuzuarit për vrasje, sikur është rasti Klosi.

“Të dekorosh dikend në të cilin bien akuza serioze për vrasjen e ministrit të luftës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi, ose je keq i kapur dhe i shantazhuar nga këta njerëz ose ke mendësi kriminale. Kjo klasë e degjeneruar politike do ikë së shpejti dhe besoj që liderët tjerë që do vijnë me mendësi normale dhe shtetërore do i revokojnë këto dekorata që ofendojnë popullin e Kosovës dhe shtetin tonë”, tha Naser Rugova për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)