Kronen Zeitung: A u vra biznesmeni austriak në Kosovë?

  • 15 June 2019 - 15:12
Kronen Zeitung: A u vra biznesmeni austriak në Kosovë?

Gazeta austriake “Kronen Zeitung”, ka dhënë detaje të reja lidhur me shtetasin austriak që u gjet i vdekur në dhomën e tij të hotelit në Prishtinë të premtën pasdite.

Sipas gazetës, Gernot J ishte një biznesmen nga Uellsi i Austrisë, dhe kishte vizituar Kosovën disa herë, gjithmonë për punë biznesi.

Ndër të tjera gazeta shkruan se ai kishte pasur një takim në hotel me një partner biznesi.

“Gernot J, me prejardhje nga Uellsi i Austrisë, e ka vizituar Kosovën disa herë. Gjithmonë për biznes. Sikurse këtë herë. Ai duket se ka pasur një takim me një partner biznesi në hotel, në qytetin e Prishtinës”, thuhet në shkrim.

Megjithatë gazeta ngre dyshimet nëse kishte ndodhur vërtetë ai takim, dhe nëse mund të ketë lidhje me vdekjen e biznesmenit austriak.

“Nëse takimi në të vërtetë ka ndodhur, apo nëse ka lidhje me vdekjen e 47 vjeçarit, është ende e paqartë. Gjithçka që është e sigurt, është që Gernot J, u gjet i vdekur në dhomën e tij të hotelit, rreth orës 15:00 pasdite”, potencon ndër të tjera gazeta austriake.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi Peter Guschelbauer, i cili ka treguar se janë në kontakt me autoritetet kosovare dhe se po e presin autopsinë.

“Jemi në kontakt me autoritetet kosovare dhe tani po presim autopsinë”, ka thënë ai.

‘Krone Zeitung’ thotë se nga burimet e veta ka gjetur se vdekja po cilësohet si vdekje e dyshimtë, duke e lënë të hapur mundësinë që në rast të jetë e përfshirë një palë e tretë.

“Është urdhëruar një autopsi për të sqaruar rrethanat e vdekjes”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e gazetës austriake.

(Kosova Sot Online)