Zbulohet ‘lufta’ brenda partisë: Ja arsyeja e përleshjeve brenda LDK-së

  • 15 June 2019 - 15:16
Zbulohet ‘lufta’ brenda partisë: Ja arsyeja e përleshjeve brenda LDK-së

Derisa po vazhdon procesi zgjedhor në LDK, nëpër degët e kësaj partie kanë filluar të rriten tensionet duke shkuar madje edhe deri në përleshje fizike në mes të pjesëmarrësve në tubimet zgjedhore brenda partiake.

Zyrtarë e LDK-së në deklarimet e tyre publike kanë akuzuar deri më tani individ nga subjekte të tjera politike, që kinse kanë shkuar nëpër këto tubime dhe qëllimisht kanë nxitur konflikte dhe parregullsi. 

“Kosova Sot Online”, ka provuar që të kontaktojë zyrtarët e LDK-së për incidentet e fundit në degët e Prishtinës, por ata nuk kanë pranuar të flasin.

Kurse, analistët politikë mendojnë se shpërthimi i këtyre tensioneve mund t’i kushtojë LDK-së në fazën vijuese të përgatitjes për kuvendin zgjedhor por edhe në zgjedhje e reja nacionale.

Sipas analistit politik, Nexhat Haziri kjo gjendje konfliktuoze në LDK po vjen si pasojë e futjes në një proces zgjedhor brenda partiak pa projekt dhe pa koncept të mirë përgatitur, gjë që po prodhon pasoja. 

Image
Nexhat Haziri

“Tensionet të cilat kanë shkuar edhe deri te përleshjet fizike në procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK, nxjerrin në pah paaftësinë e lidershipit të kësaj partie për ta organizuar një proces zgjedhor të hapur, demokratik dhe garues që do ta bënte atraktiv edhe për prurje të reja, që do ta bënin LDK-në më të bindshme dhe më të besuar në opinion se kjo parti mund t'ia kthej shpresën këtij vendi”, tha analisti politik Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, strukturat drejtuese të LDK-së, këto që janë tani, janë trimëruar shumë nga rezultatet pozitive që kanë dalë deri më tani, andaj duan të mbajnë akoma partinë në fre për shkak të egos për pushtet dhe nuk duan që të krijojnë hapësirë edhe për prurjet e reja, që do të ishte një infuzion i mirë për LDK-në dhe shtim i besimit te qytetarët. 

“Rezultati i sondazheve që LDK e nxjerrin të parën, më shumë i ka bërë dëm se sa u ka shërbyer lindershipit të kësaj parti për të reflektuar për mobilizim dhe avancim të demokracisë së brendshme. Këto sondazhe sikur e kanë dehur para kohe LDK-në, duke bërë që të prodhoj një luftë të ashpër për pushtet të brendshme nga grupet e interesave, te cilat synojnë që në rast të ardhjes së tyre në pushtet, ti ruajnë lidhjet biznisore në çfarëdo kombinatorike politike”, theksoi Haziri për Kosova Sot Online”.

Madje ai mendon se tensione do të ketë deri në fund dhe ato do ta dëmtojnë seriozisht këtë subjekt politik.

“Andaj do të shohim tension dhe përplasje edhe në vazhdim të këtij procesi zgjedhor pasi grupet rivale brenda LDK-së procesin zgjedhor e shohin si mundësi të mirë për ta eliminuar njëra-tjetrën, jo për ti dhënë një vizion të qartë partisë drejtë rikthimit të saj në pushtet. Në fund mendoj se ky proces zgjedhor i pa koncept dhe i ç’orientuar mund ti ketë pasoja për funksionimin dhe pozicionin e LDK-se në skenën politike", tha Nexhat Haziri për "Kosova Sot Online ".

(Kosova Sot Online)