Kjo është pasuria e zyrtarit që iu vodhën 66 mijë euro në shtëpi

  • 15 June 2019 - 19:23
Kjo është pasuria e zyrtarit që iu vodhën 66 mijë euro në shtëpi

Drejtorit të Departamenti  të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Departamentit të Ujërave, Muhamet Malsiut i janë vjedhur 66 mijë euro në shtëpinë e tij në Rekë të Kaçanikut.

Lidhur me këtë rast, Indeksonline kontaktoi atë, i cili nuk e mohoi vjedhjen, ndërsa Policia arrestoi 16 persona, të cilët më pas u liruan me procedurë të rregullt.

Por, sa është pasuria e këtij zyrtari të qeverisë që iu ‘avulluan’ 66 mijë euro.

Si pasuri të paluajtshme, ai ka deklaruar një shtëpi, një banesë dhe dy toka bujqësore të cilat thotë se janë në pronësi të përbashkët.

Vlera e shtëpisë së tij është 36 mijë euro, e banesës 25 mijë, ndërsa e dy tokave bujqësore është 67 mijë euro.

Në kartelat e tij personale ai ka deklaruar mbi 7 mijë euro, në kartelë të bashkëshortes 3,526,22 euro, dhe dy fëmijëve 4 mijë e 825 euro.

Sa i përket të hyrave vjetore të tij, ai merr në total 11 mijë e 772 euro.

Ai nuk qëndron keq me mëditje, ku prej Ministrisë gjatë vitit ka marrë 1,185,43 euro, prej RCC, REC, UNDP, 790,20 euro, dhe prej SHIL, 2 mijë e 175 euro.

Malsiu vozitë një veturë jo shumë luksoze, të llojit ‘Nissan’ me çmim 4 mijë e 500 euro.

Malsiu pos punës në MMPH, ai është edhe anëtar i Kryesisë Qendrore në Shoqatën e Invalidëve të luftës së UÇK-së

(Kosova Sot Online)