Kush po i detyron kosovarët të ikin nga vendi? Tregon analisti politik

  • 16 June 2019 - 07:48
Kush po i detyron kosovarët të ikin nga vendi? Tregon analisti politik

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë skajshmërisht të dëshpëruar në të gjithë klasën aktuale politike në vend, duke përfshirë pozitë dhe opozitë. Sipas analistëve politikë, e vetmja shpresë që i mbanë ata dhe ju jep pakëz kurajo për një të ardhme më të mirë, është pritja për liberalizimin e vizave sa më shpejtë për të provuar të ikin sa më larg prej Kosovës.

Sipas analistëve, dëshira për të ikur jashtë vjen si pasojë e degradimit të jetës, derisa mbijetesa në Kosovë është bërë e pa durueshme pikërisht pas gjithë këtij sundimi të kësaj klase politike në të dyja nivelet.

Image

Sipas analistit, Ragip Guraziu është fakt i pa mohueshëm që këto vitet e fundit i madh e i vogël po kërkojnë çdo mundësi që të ikin një orë e më parë nga shteti, pasi sipas tij, po shihet që me shtetin po sundon mafia.

“Duke mos parë perspektivë për të jetuar dhe mbijetuar në këtë vend po na rritet dita ditës numri i qytetarëve që po vendosin të heqin dorë nga pasaporta kosovare, duke aplikuar çdo muaj, mbi 400 persona për t’u liruar nga shtetësia kosovare. Definitivisht kjo gjendje tregon se Kosovarët janë lodhur nga ky shtet I sunduar nga krimi I organizuar dhe po përpiqen në çdo mënyrë jo vetëm të largohen sa me larg Kosovës,por edhe të heqin dorë edhe nga nënshtetësia kosovare”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Ky disponim negativ i qytetarëve, sipas Guraziut ka të bëjë me zhgënjimin dhe dëshpërimin në rritje në të gjithë klasën politike aktuale.

“Qytetarët mund t`i “falënderojnë” e mallkojnë pafundësisht këto parti politike vetëm për mos sundim të ligjit, për krimin e organizuar që tani është në shkallën më të lartë, për rritjen e papunësisë, thellimin e varfërisë, degradimin e sektorit publik, arsimin dhe shëndetësinë që kanë rënë nën çdo nivel, për ndërmarrjet publike që po falimentojnë dhe për bllokim e mos zhvillim ekonomik, dhe as ekonomi te tregut, por vetëm për monopole kriminale dhe zhvatje përmes homologimit të paligjshëm e shumë krime të tjera”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)