Vdekjet e dyshimta të pacientëve në QKUK, Prokuroria po heton nëntë raste

  • 16 June 2019 - 20:28
Vdekjet e dyshimta të pacientëve në QKUK, Prokuroria po heton nëntë raste

Prokuroria pritet të nisë hetime lidhur me vdekjen e disa pacientëve që dyshohet se kishin ndodhur gjatë vitit të kaluar, në dy klinikat e QKUK-së, Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë.

Vetëm disa muaj pas raportiemve lidhur me dyshimet për rritjen e numrit të pacientëve të vdekur pas ndarjes së njësisë së Kardiologjisë Invazive nga Klinika e Kardiologjisë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka vendosur që disa prej këtyre rasteve t’i dërgojë për hetim në Prokurori.

Me dyshimet se kishte pasur trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor e neglizhencë gjatë trajtimit, Prokurorisë i janë dorëzuar 9 dosje të pacientëve.

Pleurat Sejdiu thotë se prokurori i Odës së Mjekëve, fillimisht e pati të vështirë t’i hetojë këto lëndë, për shkak se as jashtë Kosovës nuk arriti të gjente ekspertë të cilët do të kryenin ekspertizën e këtyre rasteve.

Derisa dy klinikat, ajo e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë, kishin hezituar të ofronin dokumente dhe të dhëna për këto dosje, raporton ktv.

Pas kërkesës për sqarime nga QKUK-ja për këto dosje, përgjigjja e vetme ishte se ky institucion ka bashkëpunim të mirë me Odën e Mjekëve dhe përgjigjet në çdo kërkesë që ka kjo ajo.

“QKUK-ja ka bashkëpunim të mirë me Odën e Mjekëve dhe përgjigjet në çdo kërkesë që ka Oda e Mjekëve”, thuhet në përgjigjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Në mars të këtij viti ishte raportuar se si disa kardiologë të QKUK-së kishin alarmuar lidhur me rritjen e vdekjeve te pacientët, pas ndarjes së njësisë së Kardiologjisë Invazive nga Klinika e Kardiologjisë.

Derisa, SHSKUK-ja, përmes një konferencë për media, kishte mohuar të dhënat mbi vdekshmërinë e pacientëve në këto dy klinika.

(Kosova Sot Online)