Zhvatja e buxhetit, akuza të rënda për Kuvendin e Kosovës

  • 17 June 2019 - 07:43
Zhvatja e buxhetit, akuza të rënda për Kuvendin e Kosovës

Analisti politik, Nexhat Haziri thotë se përfundimisht kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës e ka humbur kuptimin e funksionimit të mëtejmë, pasi sipas tij, zhvatja dhe keqpërdorimi i buxhetit dhe mos miratimi i raporteve të shpenzimeve për Kuvendin, po ndodhë për herë të parë vetëm me udhëheqjen nga Kadri Veseli.

“Pra po shihet ashiqare që ky institucion i lartë ligjvënës e që po ashtu konsiderohet se duhet të ishte tempull i demokracisë, përveç se është shndërruar në strehë të njerëzve me të kaluar dhe të tashme kriminale që mbrohen përmes imunitetit të deputetit, është shndërruar edhe në një burim zhvatje të buxhetit dhe taksapaguesve kosovarë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Image

Madje sipas tij, kur në Kuvend hetohen abuzime të tilla, atëherë një shembull i tillë s’ka se si të mos ndiqet edhe nga institucionet tjera që i mbikëqyrë Kuvendi.

“Keqpërdorimi enorm dhe i paarsyeshëm i buxhetit të këtij institucioni nga kryetari Veseli dhe kabineti i tij është pasqyrë e qartë e mendësisë grykëse që ka z. Veseli dhe figura e tij që përçon një mesazh të keq për qytetarët e vendit. Kjo nuk do të duhej të ndodhte kur kihet parasysh se ky institucion do të duhej të ishte mekanizmi i fuqishëm përmes së cilit do të kontrollohet funksionimi i ligjit, dhe në këtë rrafsh edhe qarkullimi i parasë duke u mbikëqyrur ashpër nga komisioni përkatës, sepse buxheti është kontribut që vilet nga taksat e qytetarëve të vendit”, tha Haziri për“Kosova Sot Online”.

Andaj, sipas Hazirit edhe ky raport i keqpërdorimit të parasë publike nga kryetari Kuvendit, Kadri Veseli dhe kabineti i tij, nuk është diçka e habitshme as për qytetarët tanë, pasi kjo është mënyra e funksionimit të këtyre njerëzve me pozita të larta shtetërore është instaluar kaherë dhe nuk është kundërshtuar nga askush.

“Zhvatja, korrupsioni, krimi i organizuar është formula e tyre e sundimit të këtij vendi që u instalua para më shumë se një dekade dhe po vazhdon akoma edhe me këtë legjislaturë që është kulmi i krimit dhe korrupsionit”, përfundoi analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)