Vjen alarmi i kuq për bizneset kosovare, ky është paralajmërimi

  • 17 June 2019 - 11:36
Vjen alarmi i kuq për bizneset kosovare, ky është paralajmërimi

Që nga viti i kaluar në Kosovë për çdo ditë rreth pesë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe kanë kaluar në statusin e bizneseve të shuara.

Sipas analistëve të fushës së ekonomisë, ky fenomen është një alarm serioz për shtetin e Kosovës sepse tregon qartë që në vend të zhvillimit, shteti ka marr rrugën e degradimit dhe të dështimit.

Sipas analistit politik Florim Zeqa, një situatë e tillë po imponohet pikërisht për shkak të haraçit që politika ju vendosë bizneseve, kinse në emër të taksave dhe të kontributeve që duhet t’i paguajnë shtetit.

Image
Florim Zeqa

“Përkeqësimi i qeverisjes dhe degradimi i shtetit kanë arritur kulminacionin me qeverisjen aktuale. Haraçi legal dhe ilegal i vendosur nga politikanët e lidhur me krimin e organizuar ka çuar në shuarjen e shumë bizneseve kosovare. Sipas statistikave, nga viti i kaluar në Kosovë për çdo ditë rreth pesë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe kanë kaluar në statusin e bizneseve të shuara. Shumica e këtyre bizneseve të mbyllura janë të mërgimtarëve, dhe janë kryesisht biznese të vogla e të mesme”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, mërgimtarët, në veçanti ë rinjtë, të nxitur nga dashuria ndaj atdheut dhe nga dëshira për t'u kthyer në vendlindje me pak kursime në xhep, ia mësyjnë Kosovës për të rifilluar një jetë të re në vendlindjet e tyre, por menjëherë posa të futen në institucione për të rregulluar punën, bien viktima të haraçit institucional të politikës në pushtet. 

“Këta të rinj, fillimisht joshen nga sekserët e pushtetit në institucione me premtime për kushte të volitshme e të bërit biznes, derisa t'i "rrjepin" mirë në fazën e regjistrimit të bizneseve, pastaj me të filluar veprimtaritë e tyre, kalojnë në format e haraçit legal (me rritjen e tatimeve) dhe ilegal (kërkimit të mitos) për vazhdimin e lirë të aktivitetit biznesor. Kësisoj, biznesmenët e vegjël që nuk janë të lidhura me pushtetin, me të filluar veprimtarinë e tyre i nënshtrohen formave të egra e të papërballueshme të haraçit, të cilat çojnë në mbylljen e shpejtë të bizneseve të tyre”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Për këtë pasojë, sipas Zeqës, Kosova përveçse në një deponi evropiane të makinave të vjetërsuara, është shndërruar edhe në varr të bizneseve të shuara.

“Natyrisht, përgjegjësia për mbylljen e bizneseve në Kosovë, në radhë të parë bie mbi pushtetarët aktualë, sistemin e kalbur të drejtësisë dhe qytetarët e vendit që mbështetin një pushtet kriminal dhe antipopullor”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).