Bie numri i armëve bërthamore në nivel botëror

  • 17 June 2019 - 12:07
Bie numri i armëve bërthamore në nivel botëror

Sipas një grupi hulumtues, numri i armëve bërthamore që janë në pronësi të fuqive botërore është zvogëluar vitin e kaluar, por nuk dihet nëse një dukuri e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen për shkak të tensioneve politike dhe ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Studime të Paqes njoftoi përmes raportit të tij vjetor se deri në fillim të vitit 2019, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe shtatë shtetet të tjera i kanë pasur në pronësi 13 mijë e 865 armë bërthamore.

Ky institute tha se shifra e vitit 2019 paraqet rënie të konsiderueshme, nëse krahasohet me numrin prej 14 mijë e 465 armëve që këto shtete i kishin në fillim të vitit 2018.

Zvogëlimi i numrit të armëve bërthamore kryesisht ka ndodhur për shkakt të politikave të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, të cilat së bashku janë pronare të mbi 90 për qind të të gjitha armëve bërthamore në botë. Ato e kanë zvogëluar sasinë e armëve bërthamore përmes zbatimit të traktatit “Start”.

Sidoqoftë, kjo marrëveshje do të përfundojë në vitin 2021 dhe nuk dihet nëse do të vazhdohet afati i saj. Deri tash, shtetet nuk kanë zhvilluar bisedime për një gjë të tillë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më 6 qershor në Shën Petërsburg se Shtetet e Bashkuara po ngurrojnë t’i nisin bisedimet për zgjatjen e afatit të marrëveshjes për kufizimin e zhvillimit të armëve bërthamore, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)