Deputetët kërkojnë seancë për gjendjen në Luginë të Preshevës

  • 17 June 2019 - 14:38
Deputetët kërkojnë seancë për gjendjen në Luginë të Preshevës

Komisioni për Arsim ka shqyrtuar kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar gjatë vizitës që ky komision dhe ai për Administratë Publike kanë bërë së fundi në Luginën e Preshevës.

Kryesuesi i komisionit Ismajl Kurteshi propozoi që t’i dërgojnë letra, një ministrit të kulturës,  tjetrën për ambasadorin e Shqipërisë dhe kryeministrit të Kosovës lidhur me zgjidhjen e problemeve të parashtruara nga Këshilli.

“Kam mendua me i shkrua kryeministrit dhe secilit ministër që ta ndihmojmë Luginën e cila për ata që kanë qenë atje, gjendja në Luginë bazuar me krahasimet tash është më e keqe se para katër vitesh prandaj mbështetja nga qeveria është e rëndësishme. Ka mundësi t’iu ndihmohet shqiptarëve të Luginës të cilët janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë”, tha ai.

Anëtarët e komisionit kërkuan që mbi këtë çështje të mbahet seancë e veçantë ose të thirren ministrat përgjegjës në Komision.

Teuta Haxhiu deputete e AAK-së tha se thirrja e ministrave dhe mbajtja e një debati parlamentar është hap i domosdoshëm që Kosova duhet ta bëjë për ta ndihmuar Luginën e Preshevës.

“Kemi pa një realitet që atje çka ka ndodhë. Jemi dakordua si deputetë që t’i thërrasim ministrat e linjave, qoftë të arsimit, kulturës, për të parë se ku është problemi i moszbatimit të një marrëveshje të ministrisë së kulturës. Unë mendoj se nuk kemi nevojë me shkrua letra por me i thirr në përgjegjësi”, tha ajo.

Arbërie Nagavci e VV-së ishte e këtij mendimi.

“Duhet me shpejtësi dy komisionet që kemi qenë në vizitë të thërrasim kryesinë që të gjejmë zgjidhje. Sa më parë të thirret edhe ministri i arsimit për diplomat dhe tekstet shkollore. Duhet me adresua çështjen e licencimit të studentëve të mjekësisë”, tha ajo.

Albulena Balaj-Halimaj nga Nisma tha se rënia e banorëve në tri komunat tregon mos mbështetjen e Kosovës për çka e quajti të domosdoshme mbajtjen e një seance.

“Rënia drastike e banorëve e tregon moskujdesin dhe mosmbështetjen tonë. Është e domosdoshme me mbajt një seancë dhe me dalë me një rezolutë ose rekomandime”, tha ajo.

Valentina Bunjaku,  tha se është e rrugës të thirret një seancë dhe të thirren ministrat për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

‘Ja duhet me u thirr një seancë ose me i thirr veç e veç ministrat dhe me diskutua me i dërgua përpara këto çështje e jo të bëjmë populizëm”, tha ajo.

E Kurteshi tha se për këtë çështje do të mblidhen me komisionin për Administratë dhe do të vendosin për veprimet e radhës.

Komisioni për Arsim, po ashtu diskutoi lidhur me tekstet e reja shkollore dhe riorganizimin e shkollave, për çka u dakorduan që të thirret ministri i Arsimit për raportim.

(Kosova Sot Online)