“Do e bëja sërish njësoj”, Rama pranon përgjimin e publikuar nga “Bild”

  • 17 June 2019 - 18:02
“Do e bëja sërish njësoj”, Rama pranon përgjimin e publikuar nga “Bild”

Pasi i doli emri në përgjimet e reja të gazetës gjermane “Bild” reagon sërish kryeministri Edi Rama.

Rama u kap në përgjime teksa bisedonte me një drejtor në ministrinë e Brendshme për blerjen e votave nga ana e Partisë Socialiste në vitin  2017.

Në një reagim të dytë Rama shprehet se përgjimet janë nxjerrë nga një shërbëtori i Sali Berishës në prokurori për të bërë shantazhe politike.

“Ky është i gjithi një skandal i turpshëm, i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori + një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë!”, shkruan Rama.

Ai e pranon bisedën, madje shprehet se do e bënte sërish.

“Çfarë mjerimi dhe çfarë përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e njerëzve dhe nxirjen e Shqipërisë! Çfarë gënjeshtre: AK s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë. E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj! Kush ka veshë le të dëgjojë”, shprehet Rama.

(Kosova Sot Online)