Analisti nga SHBA jep paralajmërimin e rëndë për Kosovën

  • 14 June 2019 - 07:32
Analisti nga SHBA jep paralajmërimin e rëndë për Kosovën

“Kemi pasur raste kur shumë pronarë kompanish e biznesesh kanë mbyllur aktivitetet e tyre për shkak të kërcënimeve e haraçit, por edhe nga konkurrenca jo reale nga bizneset më të mëdha të lidhura me pushtetarët”, tha analisti politik Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Që nga viti i kaluar në Kosovë për çdo ditë rreth pesë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe kanë kaluar në statusin e bizneseve të shuara. Trendët e zhvillimit ekonomik në vend, shikuar dhe vlerësuar nga ana e analistëve të politikës dhe ekonomisë, janë duke shkuar në trende negative, sidomos në këto dy vitet e fundit. Sipas analistëve të politikës ekonomike, ky fenomen është një alarm serioz për shtetin e Kosovës sepse tregon qartë që në vend të zhvillimit, shteti ka marr rrugën e degradimit dhe të dështimit, sidomos të kësaj qeverie që tash është në vitin e dytë të mandatit të saj.

Image

Analisti politik, Ramiz Bojaj, i cili jeton dhe vepron në SHBA, e konsideron alarm tepër serioz për të ardhmen e vendit në fushën e zhvillimit ekonomik, rrëshqitjen që po e përjeton Kosova drejtë degradimit politik, ekonomik e social e shtetëror.

Këtë rrezik sipas Bojajt, e paralajmërojnë të dhënat statistikore të vitit të kaluar sipas të cilave numri i bizneseve që falimentojnë, mbyllen brenda ditës arrin deri në 5 të tilla.

“Kjo për faktin se bandat e forta politike e para politike kanë mbytur konkurrencën e lirë të zhvillimit ekonomik, kanë monopolizuar segmentet makro-ekonomikë, ndërsa sektorët mikro-ekonomik e bizneset e vogla i kanë shtypur duke i bërë presion, zhvatje, haraç e deri në kërcënim. Kemi pasur raste kur shumë pronarë kompanish e biznesesh kanë mbyllur aktivitetet e tyre për shkak të kërcënimeve e haraçit, por edhe nga konkurrenca jo reale nga bizneset më të mëdha të lidhura me pushtetarët.

Është tejet shqetësues fakti se që nga viti i kaluar në Kosovë për çdo ditë, afërsisht, pesë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre duke kaluar në statusin e bizneseve të shuara. Ky është alarm për Kosovën dhe të ardhmen e këtij vendi, ngase sistemi ekonomik, ekonomia e lirë e tregut, pastaj konkurrenca lojale janë, shtyllat kryesore të mbajtjes së shtetit, bashkë me drejtësinë kredibile dhe sektorin e sigurisë”, tha analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, pasiguria për investitorët, pastaj ndikimet e klaneve të egra pushtetarë kanë varrosur demokracinë e mirëfilltë në shtetin e Kosovës, duke i kthyer të gjitha segmentet e shtetit në shërbim të klaneve mafioze politike e që kërcënojnë të ardhmen e këtij vendi.

“Haraçi, fajdet, monopoli i tregut, pastaj uzurpimi i hapësirave për aktivitete biznesore, nga personat e fuqishëm të lidhur me pushtetin, ka bërë që Kosova të shënojë regres në zhvillimin e tregut të lirë e konkurrues, por edhe për zhvillimin e demokracisë këtu. Shpëlarja e miliona parave nga mafio-oligarkët, pastaj zhvatja e milionave euro pa asnjë arsye për të ashtuquajturat homologime të veturave, pastaj rasti i Z-mobile, zhvatja e milionave euro në PTK, keq menaxhimi në KEK, favorizimi i grupeve militante në punësime, investime, tenderë etj., janë pasqyrë reale se Kosova është e kapur nga bandat, vidhet, varfërohet e shkatërrohet çdo ditë”, tha analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Në këtë kontekst, sipas Bojajt, kemi edhe rënie të investitorëve të jashtëm për shkak se shumë zyrtarë të lartë të pushtetit janë apostrofuar si monopolizues duke u kërkuar haraç investitorëve të jashtëm.

“Nuk është i rastësishëm as fakti se Kosova ka paguar çmimin më të lartë në rajon për një KM asfalt. Kosova është zhytur në ndërtimin e autostradave sepse kjo është forma më 'pikante' për të mjelur para, për të vjedhur pa mbulesë. Kosova ndërton rrugë pa asnjë studim të mirëfilltë për rritjen e tregut dhe të zhvillimit ekonomik, qoftë edhe në kontekstin infrastrukturor”, tha Bojaj për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)