Akuza e rëndë: Ja si po bëhet pastrimi i parave të pista përmes OJQ-ve ruse në Kosovë

  • 18 June 2019 - 07:36
Akuza e rëndë: Ja si po bëhet pastrimi i parave të pista përmes OJQ-ve ruse në Kosovë

“Krimi i organizuar nga OJQ-të e ndryshme kohëve të fundit po ndodhë shumë shpesh, sidomos po hapen shumë OJQ mikro-financiare siç janë: Monego, Lute Credit etj, por asnjëherë askush nuk ka bërë ndonjë hetim të thellë tek këto OJQ mikro-financiare se kush po qëndron prapa këtij krimi të organizuar”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot Online “.

Njohësit e fushë së ekonomisë vazhdojnë ta shohin Kosovën si teren shumë të përshtatshëm për shpëlarjen e parave të pista nga rrjete të ndryshme kriminale, qoftë edhe nëpërmes të rrjetit të OJQ-ve dhe organizatave mikrofinanciare.

Image

Madje analistët thonë se organizata të tilla në Kosovë kanë hapur veprimtarinë e tyre dhe vijnë nga a Rusia e largët, nga Latvia etj... dhe po japin kredi me kamata jashtëzakonisht të larta bankare.

Sipas njohësve të kësaj fushe, kjo veprimtari lejohet dhe funksionon si e tillë ngase shteti akoma nuk ka funksionalizuar bazë ta mjaftueshme ligjore për të kontrolluar dhe vendosur në binarët e mbikëqyrjes së fortë ligjore veprimtarinë e këtyre organizatave mikrofinanciare që fitojnë qindra miliona në dëm të qytetarëve, duke lëshuar kredi me kamata tejet të larta që kanë dëmtuar me të madhe qytetarët, por duke lejuar të depërtojnë në Kosovë edhe paratë nga Rusia, Latvia e shtete të tjera që të vijnë në Kosovë për tu shpërlarë ato.

Sipas analistit të fushës së ekonomisë, Dardan Grapcit, OJQ-të e tilla veprojnë hapur dhe ato janë të ditura për pushtetin, sepse janë të shtrira gjithandej vendit me zyra pune emër e mbiemër.

“Krimi i organizuar nga OJQ-të e ndryshme kohëve të fundit po ndodhë shumë shpesh, sidomos po hapen shumë OJQ mikro-financiare sic janë : Monego, Lute Credit etj, por asnjëherë askush nuk ka bërë ndonjë hetim të thellë tek këto OJQ mikro-financiare se kush po qëndron prapa këtij krimi të organizuar”, tha Grapci për “Kosova Sot Online“.

Sipas tij, derisa institucionet vendore nuk merren me origjinën e këtyre OJQ-ve, flasin mediet ndërkombëtare.

“Por mediet e huaja ka disa që po flasin për Pronarin e kompanisë - MONEGO, z. Aigars Kesenfelds, që është nga Riga, Letoni. Aigars Kesenfelds, ishte i dyshuar për mashtrim në shtetin e Letonisë prej nga edhe është vetë ai, për shkelje të shumta ligjore, që lidhen me vlerësimin e padrejtë të aftësisë së pagesës të klientëve të tyre, për normat e larta të interesit dhe mashtrim përmes marketingut. z. Aigars Kesenfelds më përpara ka qenë pronar i kompanisë 4Finance, por për shkak se me këtë emër të kompanisë nuk ka mundur ta vazhdon tregun e tij për mashtrim të klienteve, ka ikur nga Letonia dhe e hap kompaninë MONEGO, ku sot kjo kompani operon edhe në Kosovë”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu tregon se si Banka e Letonisë kishte reaguar kundër Aigars Kesenfelds, në vitin 2012, duke paralajmëruar se 4Finance si ndërmarrja kishte shkelur kërkesat e Ligjit të lartpërmendur dhe nuk mori parasysh parimin e përgjegjshëm të huadhënies të sanksionuar në të.

“Në vitin 2013, Banka e Letonisë shqiptoi një gjobë prej 15,500 LTL (4,489 Euro) për 4Finance për ndërmarrjen që nuk vepron në përputhje me parimin e përgjegjshëm të huadhënies dhe rritjen e interesit të kredisë jashtë normave ligjore të Letonisë. Banka e Letonisë hulumtoi këtë rast dhe konstatoi se 4Finance nuk kishte verifikuar nëse huamarrësi i kredisë kishte një të ardhur të qëndrueshme dhe nëse shuma e kredisë së paguar nuk do të tejkalonte 40% të të ardhurave të tyre, pasi që rritja e interesit ditor në pamundësi të kthimit në afatin kohor, kishte dëmtuar shumë qytetarë dhe biznese të vogla familjare lituaneze deri në kapitullim. Për prokurorinë Kosovare ka fakte të mjaftueshme nëse dëshiron ta heton këtë rrjet kriminal të pastrimit të parave të pista por nuk veprohet. “Sipas gjitha këtyre fakteve Prokuroria e Kosovës dhe Policia e Kosovës nuk po marrin asnjë masë kundër kësaj kompanie duke e ditur që është Ilegale në vendin tonë”, përfundoi Dardan Grapci për “Kosova Sot Online” .

(Kosova Sot Online)