Kërkohet ndërhyrja e SHBA-së: Ja ilaçi amerikan kundër krimit e korrupsionit

  • 18 June 2019 - 07:40
Kërkohet ndërhyrja e SHBA-së: Ja ilaçi amerikan kundër krimit e korrupsionit

“Duhen të ndërhyjnë vendosmërisht ndërkombëtaret, sidomos SHBA -të, për miratimin e VETTING-ut dhe ndërtimin e vënien në funksionim të shtetit ligjor në Kosovë”, tha Kapiti për Kosova Sot Online.

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Skënder Kapiti, duke e vlerësuar nivelin e ulët të funksionimit të shtetit të së drejtës në Kosovë, konsideron se akoma në këtë shtet të ri, krimi dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë kanceri më i madh që po i bren themelet e shtetit. Sipas tij, për vite të tëra kemi një metastazim të korrupsionit dhe krimit të organizuar madje edhe vetë brenda për brenda sistemit të drejtësisë të lidhur me mafio-politiken dhe korporatokracinë kriminale.

Image

Ai thotë se në këtë sistem të brishtë të drejtësisë dhe të zhytur në krim e korrupsion, vazhdojnë të mbijetojnë e zhvatin buxhetin prokurorët që nuk kryejnë detyrat që iu janë besuar ne që do të duhej të ishin në krye të hetimeve për rastet e panumërta të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, por kjo nuk po ndodhë në Kosovë.

Prandaj, sipas Kapitit, pa ligjin Veting edhe në Kosovë, një situatë e tillë alarmante nuk mundë të përmirësohet.

“Demokracia e kapur nga mafia politike, nga mafia e krimit dhe e korrupsionit, dhe sidomos nga mafia e drejtësisë, dhe është katastrofë për shtetin kur këto mafi bashkëpunojnë me njëra tjetrën si një korporatë mafio oligarkësh. Kjo është gjendja më e rëndë ku bie shteti dhe shoqëria, madje është edhe shumë më e keqe se sa anarkia e diktatura. Kjo sepse në një gjendje të tillë paralizohet i gjithë sistemi, drejtësia, shteti dhe shoqëria", tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, kundërshtimi dhe përpjekjet për ndryshimin e realitetit janë plotësisht të pamundura nga vetë shoqëria shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por vetëm duke ndërhyrë SHBA-ja sikur bëri në Shqipëri, prandaj imponohet nevoja e ligjit Veting edhe për Kosovën.

“Në Shqipëri ku kjo gjendje e rëndë ka 30 vite që ka precipituar, pllakosur dhe përkeqësuar u desh ndërhyrja vendimtare e SHBA-ve dhe e BE-së për miratimin e VETTING-ut, si e vetmja rrugë për ta futur shtetin, politikën dhe shoqërinë e demokracinë në rrugën dhe binarët e Ligjit dhe për kthimin e shpresës të shqiptarët.

Po kjo duhet patjetër të ndodhë edhe në Kosovë. Duhen të ndërhyjnë vendosmërisht ndërkombëtaret, sidomos SHBA -të për miratimin e VETTING-ut dhe ndërtimin e vënien në funksionim të shtetit ligjor në Kosovë”, përfundoi Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)