Vjen akuza e rëndë për ish komandantët e UÇK-së

  • 18 June 2019 - 07:44
Vjen akuza e rëndë për ish komandantët e UÇK-së

“Pikërisht këta "komandant" e goditën rëndë e më rëndë, edhe imazhin impozant të UÇK-së, duke i dhënë vulën pas 20 vjet vjedhje e zhvatje, edhe me falsifikimin e listave të veteranëve...”, tha Gani Qarri për Kosova Sot Online”.

Analistët e skenës politike kosovare, duke folur për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, theksojnë se në skenën politike të Kosovës nuk erdhi asnjë ndryshim i ri, kurse qytetarët u bënë shumë monoton duke dëgjuar sërish për të bëmat e "komandanteve" në përvjetorin e 20-të të çlirimit nga pushtetarët e njëjtë që i zhvatën dhe sunduan për 20 vite rresht.

Image

Sipas tyre, tepër është shqetësues fakti, se si e njollosën luftën e shenjtë të UÇK-së, disa “komandantë”, të cilët më tepër rreziteshin në plazhet e Shqipërisë ose bënin qejf në hotelet e Tiranës, sesa kontribuonin aty ku qe rreziku për jetën.

Sipas analistit politik, Gani Qarri, edhe më të rëndë këtë “historiografi”, e bënë çështja e fondeve të luftës, ngase në kohët më të vështira u dhanë qindra e qindra miliona euro nga populli i Kosovës për rezistencën e armatosur.

“Ka rreth 20 vite që eksponentët e trafikimit, hajnisë dhe krimit, janë vënë në krye të partive, organizatave dhe udhëheqjen e pushtetit në Kosovë, fakt i cili ka bërë që korrupsioni, krimi i organizuar dhe përgjakja e Kosovës të vazhdojë edhe pas luftës. Kështu që, më nuk është risi as kurrfarë befasie që qytetarët e Kosovës po dëgjojnë serish për bëmat e "komandantëve" edhe në përvjetorin e 20-të të çlirimit, nga pushtetarët e njëjtë të inkriminuar deri në fyt, të cilët i zhvatën, plaçkitën dhe sunduan për 20 vite rresht këtë vend dhe popull, në mënyrën më të keqe të mundshme, ashtu siç dinë vetëm ata”, tha analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qarri thotë se askush nuk mund ta mohojë faktin se disa "komandantë" po e njollosin edhe sot të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi, të popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Po e njollosin ashtu siç e njollosën dje edhe luftën e shenjtë të UÇK-së, të cilët më tepër rreziteshin në plazhet e bregdetit të Shqipërisë ose bënin qejf në hotelet luksoze të Tiranës, sesa kontribuonin aty ku e kërkonte nevoja dhe qe rrezik për jetën, kurse këtë “historiografi” të trishtë e bënë edhe më të rëndë çështja e pa hetuar e fondeve të luftës dhe qindra e qindra miliona eurove, të dhëna nga diaspora dhe populli i Kosovës për rezistencë të armatosur dhe kryengritjen kundër okupimit nga Serbia, përmes dy fondeve, “Vendlindja Thërret” dhe “3- përqindëshi”, fonde që grumbulluan mjete marramendëse, për të cilat edhe 20 vjet pas lufte,nuk pati kurrë raportimi, transparencë, auditim apo hetim të njëmendtë, për qeveritë e përkohshme, ani pse përfliten publikisht se vet ato i keqpërdorën pa pikë mëshire edhe fondet në fjalë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit,kjo dëshmon edhe një herë më tepër se “Komandantët” milioner, shumë më tepër se për luftën, u kujdesën për milionat.

“Ndërsa komandantët e vërtetë ose ranë në fushëbetejë ose mbetën në izolim të plotë, të harruar e pa kurrfarë përkujdesje dhe asnjë të ardhur për vete dhe familjet e tyre, të katandisur si është më keq. Pikërisht këta "komandant" e goditën rëndë e më rëndë, edhe imazhin impozant të UÇK-së, duke i dhënë vulën pas 20 vjet vjedhje e zhvatje, edhe me falsifikimin e listave të veteranëve, një skemë mashtrimi e korrupsioni, përfitimi elektoral dhe abuzimi të jashtëzakonshëm financiar, në kurriz të shtetit, qytetarëve dhe popullit të shumë vuajtur të Kosovës”, përfundoi analisti, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)