Ismaili: Ministria e Shëndetësisë ka bërë progres në raport të Auditimit

  • 18 June 2019 - 14:40
Ismaili: Ministria e Shëndetësisë ka bërë progres në raport të Auditimit

Përmes një konference për shtyp të thirrur nga Ministria e Shëndetësisë janë paraqitur të gjeturat e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të vitit 2018-të, që sipas MSH’së tregojnë një progres rrënjësor në krahasim me vitet e fundit.

Nga 27 rekomandime në vitin 2017, Ministria e Shëndetësisë ka përmbushur shumicën prej tyre.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë kësaj konference për media tha se ky përmirësim i opinionit të auditorit ka ardhur si rezultat i punëve të mira që janë kryer dhe luftës së suksesshme kundër korrupsionit.

“Ministria e Shëndetësisë ka treguar një përkushtim dhe dinamikë proaktive në implementimin e rekomandimeve të dhëna. MSh-ja ka trajtuar këtë çështje me devotshmërinë më të lartë duke dëshmuar që ndryshimet pozitive në sektorin e shëndetësisë janë të mundshme dhe të qëndrueshme”, ka thënë ministri.

 Nga të gjeturat më të rënda të ZKA-së për Ministrinë e Shëndetësisë gjatë vitit 2017 ka qenë edhe blerja e barnave me çmime abuzive, keqpërdorimi i avancave për udhëtime zyrtare, keqmenaxhimi i projekteve kapitale, furnizimi me barna pa sistem të mirëfilltë të shpërndarjes etj, derisa nga MSH thanë se raporti i vitit 2018-të tregon një situatë tjetër.

“Ne kemi trajtuar me prioritet abuzimin me avanca të pajustifikuara për udhëtimet zyrtare gjatë viteve paraprake, kemi ndalur blerjen e barnave me çmime abuzive dhe kemi hartuar udhëzimin administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave, duke shpëtuar miliona euro të shtetit dhe të qytetarëve, kemi nisur transformimin farmaceutik me mbi 100 barnatore të reja në QKUK për të vendosur një zinxhir të mirëfilltë kontrollues të furnizimit me barna që të sigurohemi që çdo bar të shkojë deri te pacientët”, ka thënë ministri Ismaili.

Në anën tjetër, Drejtoresha e USAID në Kosovë, Lisa Magno, ka thënë se ministria ka bërë përparime në trajtimin e rekomandimeve që kanë dalë nga zyra e auditimit.

“USAID është e lumtur që të theksoj përparimin e madh që ka bërë ministri në sistemin shëndetësor të Kosovës. Kjo ministri ka bërë përparime të mëdha në trajtimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të cilat kanë kërkuar një vendosmëri, këmbëngulësi dhe një punë shumë të madhe”, ka thënë Lisa Magno, drejtoreshë e USAID në Kosovë.

 Drejtoresha e USAID, ka përmendur edhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për kujdesin e zemrës dhe stentimin në QKUK dhe investimet në blerjen e aparaturave mjekësore.

“Por, unë dëshiroj të theksoj arritjen më të madhe që ka bërë kjo ministri, që është Udhëzimi Administrativ për blerjen e barnave me çmime referente. Kjo ka thyer disa monopole që është dashur të thyhen dhe çmimet e barnave janë bërë më të përballueshme për qytetarët”, ka thënë Lisa Magno.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se ministria mbetet e përkushtuar që të adresoj edhe rekomandimet e tjera të dala nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Ajo që e ka ngritur suksesin tonë ka qenë identifikimi i mangësive në të kaluarën. Koordnimi dhe komunikimi i rregullt në mes të departamenteve brenda institucionit tonë ka sjellë edhe këto rezutlate. Më vjen mirë që është shpaguar puna e madhe një vjeçare e gjithë stafit të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë sekretari Bardiqi.

(Kosova Sot Online)