Vdes një ushtar kanadez gjatë ushtrimeve ajrore në Bullgari

  • 18 June 2019 - 17:24
Vdes një ushtar kanadez gjatë ushtrimeve ajrore në Bullgari

Një ushtar kanadez ka vdekur dhe tre ushtarë të tjerë janë lënduar gjatë zhvillimit të disa ushtrimeve ajrore në Bullgari. Këto ushtrime janë pjesë e një operacioni shumëkombësh që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara.

Përmes një deklarate, komanda e ushtrisë amerikane për Evropën njoftoi se ushtrimi me parashuta në fushën Cheshnegirovo është ndërprerë menjëherë në mënyrë që shërbimet emergjente ta tërheqin trupin e ushtarit parashutist.

“Të gjithë ushtarët e lënduar janë dërguar menjëherë në spital, ku njëri prej tyre u shpall i vdekur, një u ndal për trajtim të mëtutjeshëm, ndërsa dy të tjerë u mjekuan dhe u liruan”, thuhet në këtë deklaratë.

Sipas një burimi të afërt me incidentin, ushtarët e lënduar ishin parashutistë që ishin duke kryer ushtrime në mëngjesin e së martës, ende pa zbardhur dita. Raportohet se ata kanë kërcyer nga një lartësi e vogël. Dy ushtarë amerikanë dhe një ushtar kanadez janë lënduar në këtë incident.

Më shumë se 5600 trupa ushtarake janë duke marrë pjesë në ushtrimin “Swift Response 2019”, të udhëhequr nga forcat amerikane. Ushtrimi ka filluar më 13 qershor në pjesë të ndryshme të Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë.

Në Bullgari, rreth 500 trupa të forcave ajrore nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Italia morën pjesë në ushtrimet ajrore në fushën Cheshnegirovo, rreth 160 kilometra në juglindje të Sofjes, shkruan “Reuters".

(Kosova Sot Online)