OKB-ja kërkon hetim të pavarur për vdekjen e Mohammed Morsit

  • 18 June 2019 - 17:53
OKB-ja kërkon hetim të pavarur për vdekjen e Mohammed Morsit

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për zhvillimin e një hetimi të pavarur për vdekjen në gjykatë të ish-presidentit egjiptian, Mohammed Morsit. Ish-presidenti 67-vjeçar vdiq pasi u alivanos gjatë një seance në gjykatë të hënën.

Morsi ishte presidenti i parë i Egjiptit që u zgjodh në mënyrë demokratike, por është mbajtur në paraburgim që nga rrëzimi nga pushteti përmes puçit ushtarak në vitin 2013.

Familja e tij është ankuar për një kohë të gjatë për trajtimin e tij në burg dhe kanë thënë se autoritetet e kanë refuzuar kërkesën për varrosje të tij në vendin e lindjes. Prandaj, ish-presidenti u varros në pjesën lindore të Kajros të martën në mëngjes.

Në deklaratën e zëdhënësit të Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Rupert Colville, thuhet se Egjipti është i obliguar t’i trajtojë të burgosurit në mënyrë humane dhe se për vdekjen e ish-presidentit duhet të zhvillohet një hetim i pavarur.

“Janë ngritur shqetësime sa i përket kushteve të ndalimit të z.Morsit, përfshirë qasjen në kujdesin shëndetësor dhe kontaktin me familjen dhe avokatët gjatë gati gjashtë vjetëve të qëndrimit në paraburgim”, thuhet në deklaratë.

Organizata “Vëllazëria Myslimane” dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, janë në mesin e atyre që i kanë fajësuar udhëheqësit e tanishëm të Egjiptit për vdekjen e Morsit, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)