Kadri Veseli shkaktoi të qeshura gjithandej kur mbrëmë i shpalli luftë korrupsionit

  • 18 June 2019 - 18:04
Kadri Veseli shkaktoi të qeshura gjithandej kur mbrëmë i shpalli luftë korrupsionit

Kreu i PDK’së në një tubim partiak që e mbajti dje foli sikur të ishte ndonjë parti opozitare – ai i shpalli luftë korrupsionit duke harruar se është pjesë e koalicionit qeverisës që e drejton vendin. Derisa në rrjetet sociale, kjo deklaratë e Veselit nxiti të qeshura shoqëria civile dhe opozita thonë se kjo është vetëm një retorikë boshe pasi të korruptuarit s’mund ta luftojnë korrupsionin. 

Kadri Veseli, lideri i PDK’së që ka udhëhequr me partinë që ka vite që mban pushtetin, ka zgjedhur që tash të flasë për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Këtë ai e bëri vetëm një ditë pasi  u rizgjodh kryetar i partisë së tij, pa pasur asnjë kundër kandidat.

Kreu i PDK’së ka vite që është në pushtet, ndërsa javëve të fundit po përflitet në një nga aferat me fajde.

Pikërisht në këtë kohë, jo aq të favorshme për të, ai u rizgjodh në krye të PDK’së dhe nxiti të qeshura  gjithandej kur paralajmëroi një iniciativë për luftimin e korrupsionit në vend.

Lidhur me këtë temë, media ka kontaktuar edhe Arben Kelmendin nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Rexhep Selimin deputetin e Vetëvendosjes.

Kelmendi ka thënë se Qeveria që tash është në pushtet, e pjesë e së cilës është edhe PDK nuk kanë bërë asgjë për luftim të korrupsionit. Kelmendi ka përmendur shpenzimet e mëdha të qeverisë, numrin e zëvendësministrave e edhe emërimin e personave që kanë aktakuza apo dosje penale.

“Gjendja duket edhe më e rënduar kur sjellim në mendje shpenzimet e mëdha të qeverisë aktuale jashtë shpenzimeve të planifikuara buxhetore, numri i stërmadh i zëvendësministrave, emërimet në poste udhëheqëse të personave me aktakuza (apo edhe njerëz me dosje penale – siç është rasti i Lulzim Kadriut, i emëruar në postin e drejtorit të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, i cili ka qenë i akuzuar për korrupsion dhe në fund të tetorit të 2017-s, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ishte dënuar me 6 muaj burgim e konvertuar në gjobë prej nga 1,800 eurosh)”, thonë nga KDI.

Ai po thotë se që ka korrupsion në Kosovë tregojnë edhe raportet e institucioneve më të besueshme ndërkombëtare, shoqërisë civile, mediave e partive opozitare.

“ Kosova sivjet ka humbur dy pikë në sistemin global të vlerësimit të perceptimit të korrupsionit, të kryer nga Transparency International ku shtetet vlerësohen në shkallën prej 0 deri në 100. Nga 39 pikë sa ishte vlerësuar Kosova në vitin 2017 ajo ka rënë në 37 pikë dhe si rrjedhojë nga pozita e 85-të ka shënuar rënie në atë të 93-të. Kosova me 37 pikë ende ndodhet nën mesataren globale prej 43 pikësh. Ky rankim i dobët i Kosovës në Indeksin e sivjetmë i atribuohet institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë”, deklaroi ai, duke shtuar se deklarata e Kadri Veselit është retorikë boshe e tij.

“Deklaratën e Veselit për luftimin e korrupsionit, me rastin e rizgjedhjes së tij në postin e kreut të PDK-së, e vlerësojmë si retorikë boshe të liderit të partisë më me influencë në Kosovën e pasluftës. Partia Demokratike e Kosovës është pjesë e koalicionit qeverisës prej vitit fundit të vitit 2007 dhe gjatë kësaj periudhe 12-vjeçare qytetarët vazhdimisht janë ballafaquar me probleme të sigurimit të ekzistencës për familjet e tyre, sistem të dobët arsimor e shëndetësor, nivel të lartë papunësie dhe administratë shtetërore të korruptuar. Për dallim prej qytetarëve, politikanët dhe njerëzit e afërm me ta kanë vazhduar të shtojnë mirëqenien e tyre dhe kjo vërtetohet fare lehtë nga formularët e deklarimeve të pasurisë që ata janë të obliguar ligjërisht t’i plotësojnë çdo vjet te Agjensioni Kundër Korrupsionit”, ka shtuar ai.

Sipas Kelmendit, korrupsioni do të duhej të trajtohej në mënyrë adekuate nga organet e drejtësisë.

Njejtë u shpreh edhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Në një bisedë për media, ai tha se kjo deklaratë e Veselit nuk është çudi pasi që nuk po ndodhë për herë të parë.

“Këto deklarata sikur të kishin ndodhur për herë të parë do të duhet të ishin çudi tash na kanë mundësi që gjithmonë deklarojnë diçka tjetër dhe veprojnë diçka tjetër, kjo është hipokrizi, kështu i bie kur deklaron  ndryshe dhe vepron ndryshe. Po veprojmë në kohën e anomalive të tilla, që dikush kur është në pushtet thotë do ta luftojmë korrupsionin. Ky është pushteti më i korruptuar deri tash, asniherë s’ka shkuar duke rënë ka shkuar vetëm duke u përsosur në kontekstin negative. E kemi të vështirë të japim shpjegim për qytetaret. Çfarë ndodh kur kryetari i koalicionit qeverisës sepse në pushtet është koalicioni PAN. Kur drejtuesi i mandatit qeverisës thotë se do ta luftojmë korrupsionin atëherë i bie që mund ta luftojë korrupsionin kur ta përsosin edhe më shumë, ai mundet ta luftojë korrupsionin sot ka mundur ta luftojë dje, por nuk mundet ta luftojë duke e ditur se deri në çfarë shkalle janë të korruptuar vetë. Është një mënyrë për ta mashtruar qytetarin gjoja që ai mund të pres nga të korruptuarit që ta luftojë korrupsionin”, tha Selimi.

Tutje, ai shtoi se fillimisht, për të luftuar krimin, Veseli duhet të largojë nga partia e tij të korruptuarit.

“Le t’i largojë të korruptuarit nga partia e tij, coftë ata me afera të ndryshme, pronto apo fajdja qe veçse kanë dalë nëpër media.  Sa zyrtarë të PDK-së kanë kaluar nëpër gjykata për korrupsion”, shtoi ai.

Sipas Selimit luftimi I korrupsionit do të ndodhë në qeverinë e ardhshme, pasi që deputeti i VV’së, thotë se nuk do të jetë më PDK në pushtet.

Kadri Veseli foli për korrupsionin para simpatizantëve të tij, dhe votuesve që e patën vetëm atë si opsion, duke premtuar çrrënjosjen e tij e luftën kundër ashtu si kishte luftuar për çlirim të Kosovës.

(Kosova Sot Online)