Grupi i Vishegradit: Për Ballkanin Perëndimor, fjalët t’i kthejmë në vepra

  • 18 qershor 2019 - 18:50
Grupi i Vishegradit: Për Ballkanin Perëndimor, fjalët t’i kthejmë në vepra

Të gjitha vendet e Grupit të Vishegradit (V4) kanë deklaruar vendosmërinë e tyre për zgjerimin e BE me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor, shkruan sot euractiv.com.

Sipas ministrit të Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto “sa më shumë vende anëtare të kemi, aq më të fuqishëm do të jemi”.

Për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në BE është qëllimi kryesor i politikës së jashtme.

Integrimi është një sine qua non për zhvillimet demokratike, paqen dhe prosperitetin.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë 18 milionë banorë dhe kanë PBB-në e Sllovakisë, kështu që, teorikisht nuk do të jetë një problem i madh akomodimi i tyre në familjen prej 500 milionë anëtarësh të BE.

“Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor duhet të jetë i domosdoshëm nëse BE me të vërtetë kërkon të eksportojë stabilitet dhe të jetë një arkitekte e botës së nesërme”, ka deklaruar presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker.

V4 ka kërkuar fuqimisht që më në fund fjalët të kthehen në vepra për zgjerimin jugor të BE.

Dy argumente e mbështesin, sipas saj, këtë vendosmëri: i pari, solidariteti dhe i dyti, strategjia ekonomike dhe e sigurisë.

“Ne duam të japim përvojën tonë të fituar gjatë procesit të anëtarësimit tonë në BE”, thotë ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progres të dukshëm dhe duhet t’u jepet mundësia për hapin e radhës”, tha ministri i Jashtëm çek, Tomas Petriçek.

(Kosova Sot Online)