U la për i vdekur në rrugë, 17-vjeçari habit të pranishmit

  • 19 June 2019 - 10:06
U la për i vdekur në rrugë, 17-vjeçari habit të pranishmit

Një adoleshent, i cili u qëllua në kokë nga një përplasje me armë të ndodhur në Chicago, shtangu shërbimet e emergjencës dhe policinë, kur nisi të lëvizte ndërkohë që ndodhej i mbuluar në mes të rrugës.

Erin Carey u qëllua disa herë në kokë dhe nga këqyrja paraprake e autoriteteve ai u shpall i vdekur në vendngjarje. Por pak momente më vonë i riu nisi të merrte frymë, lëvizi kokën dhe krahun.

Ishin të pranishmit që vunë re lëvizjet e 17-vjeçarit dhe punonjësit e ndihmës së shpejtë ndërhynë menjëherë.

Në një bisedë të regjistruar mes një oficeri të policisë dhe shërbimit të emergjencës tregohet pikërisht ky moment.

“Subjekti është mashkull me ngjyrë, në 1304 West 13 Steet. Sapo lëvizi në kamera, lëvizi kokën nga një anë në tjetrën dhe krahët, kështu që nuk ka vdekur”, tha oficeri.

Sipas asaj që shkruan Dailymail, Carey u qëllua rreth orës 4:45 të së Hënës në South Loomis Street. Pavarësisht “mrekullisë” që ndodhi në vendin e ngjarjes, ai nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë të martën në Stroger Hospital.

Carey ishte një prej 6 personave që u qëlluan me armë, në një incident të ndodhur në lagjen University Village.

Të shtënat erdhën nga dy automjete që po lëviznin nëpër lagje.

Viktimë tjetër nga kjo ngjarje mbeti edhe një 22-vjeçare. 4 personat e tjerë mbetën të plagosur dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia tha se asnjë prej të plagosurve nuk po bashkëpunon me hetuesit dhe se të shtënat me armë besohet se janë të lidhura me një konflikt të vazhdueshëm mes bandave në këtë zonë.

(Kosova Sot Online)