Shoqëria civile nuk do të marrë pjesë në punën e Komisionin Parlamentar për procesin zgjedhor

  • 19 June 2019 - 10:26
Shoqëria civile nuk do të marrë pjesë në punën e Komisionin Parlamentar për procesin zgjedhor

Shoqëria civile përmes një komunikate për media ka thënë se do ta pezullojë pjesëmarrjen në punën e Komisionit Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.

“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në lidhje me Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, Ne, organizatat e shoqërisë civile, anëtarë në Grupin Këshillëdhënës të themeluar nga Komisioni Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor  në të cilin marrin pjesë, Kryetarët e Grupeve Parlamentare, dëshirojmë të bëjmë të ditur për opinionin publik dhe të gjithë akterët relevantë të përfshirë në këtë proces, se do të pezullojmë pjesëmarrjen tonë në Grupin Këshillëdhënës deri në tërheqjen e këtij projektligji.

Ata kanë vlerësuar se projektligji aktual është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore.

“Ne vlerësojmë, se projektligji aktual  është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji degradon parimet kryesore të jetës politike duke rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, përfshirë edhe cenimin e pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike. Projektligji aktual dështon në adresimin e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve politike të fshehin identitetin e kontribuesve financiarë të tyre, duke ngritur shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në rastet kur partitë e shkelin ligjin”.

Shoqëria civile u deklarua se Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike mund të shihet si pjesë e ndarë e Reformës Zgjedhore, dhe i njëjti rrezikon këtë proces. Për këtë kanë kërkuar që projektligji të tërhiqet apo të mos votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)