IKD-Haradinajt: Anuloje vendimin për 95 mijë euro, do të ketë pasoja

  • 19 June 2019 - 11:18
IKD-Haradinajt: Anuloje vendimin për 95 mijë euro, do të ketë pasoja

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj vendimit të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, më 23 maj të vitit 2019, për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 95 mijë euro, për hartimin e akteve nënligjore dhe përgatitjet e nevojshme për zbatimin e Ligjeve për Reformën e Administratës Publike.

Sipas tyre, ky vendim cenon rëndë parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.

“Nga analiza e IKD-së lidhur me vendimin e lartë-përmendur rezulton se Qeveria e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me këto parime, duke miratuar një vendim që është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, duke dhënë kompensim shtesë për një kategori të caktuar të shërbyesve civil për të kryer detyra dhe përgjegjësi, të cilat i kanë të përcaktuara në ligj dhe kontratën e punës. Për më tepër, lista e personave që përfitojnë nga një vendim i tillë i qeverisë janë kryesisht pozita të larta në shërbimin civil, ku shumica kanë pozitën e drejtorëve apo udhëheqësve të divizioneve apo zyrave tjera në Zyrën e Kryeministrit apo ministrive të caktuara”, thuhet në komunikatën e këtij instituti.

IKD theksoi se vendimi i Qeverisë është në kundërshtim së paku me dy ligje. Andaj, Instituti kërkon nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti qeveritar të anulojnë këtë vendim.

“Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike. Mos reagimi i qeverisë dhe mos anulimi i këtij vendimi do të ketë pasoja juridike që hyn në kuadër të sferës penale, respektivisht shkeljes së dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.

IKD kërkon nga Kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar që të reflektojë, duke e anuluar Vendimin nr. 10/2014 i datës 23 maj 2019. Për më shumë lidhur me këtë kërkesë, IKD i është drejtuar me letër zyrtare Kryeministrit Haradinaj dhe Ministrave të Qeverisë që të reflektojnë mbi këtë vendim të kundërligjshëm, duke e anuluar. Nëse Kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar nuk reflektojnë, ftohen organet e ndjekjes që të zbatojnë obligimet ligjore në drejtim të hetimit të këtij vendimi dhe përfitimeve të kundërligjshme prej tij”, thuhet tutje në komunikatë.

(Kosova Sot Online)