“Luftë” mes Devollëve dhe Pacollit për Hotel Grandin, përfshihen edhe Thaçi e Haradinaj

  • 19 June 2019 - 11:25
“Luftë” mes Devollëve dhe Pacollit për Hotel Grandin, përfshihen edhe Thaçi e Haradinaj

Një luftë e re po zhvillohet për Hotel Grandin në Prishtinë. Dy vëllezërit Devolli, Blerimi dhe Shkelqimi, përmes mbështetjes politike të Thaçit, Haradinajt dhe Veselit, kanë shprehur interesim për ta bërë të vetin Hotelin Grand, kurse në anën tjetër, Behgjet Pacolli, i cili bëri që Ramush Haradinaj të vije në postin e kryeministrit duke iu bashkangjitur koalicionit PAN, po ndihet i mashtruar.

Sipas burimeve, Behgjet Pacolli, insiston se ky objekt i takon atij, pasi ai e kishte blerë atë në një proces të privatizimit para një dekade, por që padrejtësisht, sipas Pacollit, atij i ishte rrëmbyer pronësia nga një ish partner, Zylqyfli Berisha, të cilit Behgjet Pacolli ia kishte huazuar disa miliona.

E kur Berisha e kishte dëbuar Pacollin nga partneriteti dhe kishte dështuar në investimet në Hotel Grand, atëherë Agjencia për Privatizim ia kishte konfiskuar Berishës hotelin e blerë, kurse Pacollit nuk ia kishte pranuar humbjet prej disa milionave.

E kur koalicioni PAN kishte nevoje për votat e Pacollit, këtij të fundit i ishin dhënë premtime të mëdha, duke përfshirë edhe Hotel Grandin

Por si duket zbehja e fuqisë e Pacollit në koalicionin PAN, ka bërë që të ndryshojnë edhe fjalët e dhëna.

Tashmë Grandit, ia kanë mësyrë dy vëllezërit Devolli, Blerimi dhe Shkelqimi. Duke përdorur si ‘karrem’ zinxhirin e hoteleve Marriot, kinse për interesimin e tyre për Grandin, ata synojnë që të bëhen pronarë të këtij objekti. E përkrahje të mëdha të dy vëllezërit kanë marrë nga dy krerët e lartë kosovarë, presidenti Thaçi, i cili është në krah të Blerim Devollit dhe kryeministri, Haradinaj që është në anën e Shkëlqim Devollit.

E kohë më parë, interesim për Grandin kishte shprehur edhe kompania “Global Hotel Investments”, ku pas një takimi mes Ministrit, Dardan Gashi dhe Presidentit të Global Hotel Investments AG, Roger Maibach, ishte bërë i ditur interesimi i tyre për të investuar në Hotel Grand.

(Kosova Sot Online)