Thaçi nuk e lëshon mundësinë për ta kritikuar Qeverinë për vizat

  • 19 June 2019 - 13:33
Thaçi nuk e lëshon mundësinë për ta kritikuar Qeverinë për vizat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar konkluzionet e nxjerra dje nga Këshilli i Ministrave të BE-së, duke thënë se Bashkimi Evropian po e trajton ndryshe Kosovën me shtetet tjera dhe se nuk po ia realizon kërkesën minimale që ka krahasuar me vendet e rajonit, liberalizimin e vizave.

Për këtë gjë Thaçi nuk e ka lëshuar mundësinë që të kritikoj edhe Qeverinë Haradinaj, duke thënë se po i mungon një punë konstruktive dhe koordinim ndër institucional për veprimet të cilat janë në interes të Kosovës.

Në një reagim në profilin e tij, Thaçi thotë se liderët e institucioneve dhe ata të partive politike duhet të reflektojnë karshi situatës që po kalon vendi, e që sipas Thaçit është e rëndë.

“Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian. Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës”, ka shkruar ai.

Kreu i shtetit thotë se Kosova nuk është fajtore për problemet e brendshme me të cilat po përballet Unioni Evropian.

“Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në.Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj”, shton ai.

Thaçi thotë se Kosovës nuk po i plotësohet një prej kërkesave minimale për liberalizim të vizave, duke treguar se ka pasur pritje për një vendim pozitiv.

“Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale.Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës”, potencon Thaçi.

Ai ka kritikuar BE-në për këtë qëndrim ndaj Kosovës, dhe nuk ka ngurruar që të drejtoj akuza edhe ndaj Qeverisë, për faktin se liberalizimi i vizave ende nuk po ndodh.

“Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit”, thotë tutje kreu i shtetit.

Ai ka ftuar krerët shtetërorë e institucional që të reflektojnë, dhe që izolimi e stagnimi i Kosovës të marr fund.

“Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO.Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, ka përfunduar Thaçi.

Dje Këshilli i Ministrave të BE-së kanë publikuar një raport, në të cilin thuhet se çështja e liberalizimit të vizave është duke u diskutuar në Këshill, megjithatë nuk është dhënë ndonjë informacion tjetër konkret lidhur me procesin.

(Kosova Sot Online)