Në qeverinë e PAN-it po shënohet vetëm regres

  • 19 June 2019 - 13:46
Në qeverinë e PAN-it po shënohet vetëm regres

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka reguar pas vërejtjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sipas tij derisa në qeverinë paraprake janë bërë hapa përpara në konsolidimin e buxhetit të shtetit dhe zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat, në qeverinë e PAN-it po shënohet vetëm regres.

"Sot, FMN-ja tërheq vërejtjen për çështjet që LDK-ja i ka ngritur vazhdimisht në Kuvend, se gjatë kësaj qeverie: të hyrat janë në nivel të ulët të mbledhjes, shpenzimet jo produktive për paga e mallra po rriten, nismat ligjore pengojnë sektorin privat dhe rrezikojnë rregullën fiskale, nuk ka ristrukturim të ndërmarrjeve publike, mungojnë investimet cilësore, reformat arsimore po ngecin, dhe reformat lidhur me pensionet e veteranëve po vonohen", tha Hoti.

Ai shtoi se lidhur me taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, FMN-ja konstaton se kostoja po paguhet nga familjet përmes çmimeve më të larta për produkte bujqësore, në veçanti nga familjet me të ardhura të ulëta.

"Të dhënat nga studime të pavarura tregojnë gjithashtu se mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja janë zëvendësuar me mallra nga Maqedonia, Turqia, Izraeli dhe vende te tjera. Prodhuesit vendor nuk duket se kanë arritur të përfitojnë nga kjo taksë", tha shefi i GP të LDK-së.

(Kosova Sot Online)