Tahiri: E autorizova operacionin e organeve vendore e gjermane nëpër ‘Call Center’

  • 19 June 2019 - 14:35
Tahiri: E autorizova operacionin e organeve vendore e gjermane nëpër ‘Call Center’

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ka autorizuar operacionin që u zhvillua dje në Ferizaj e në Prishtinë nëpër ‘Call Center’,duke u bazuar në Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Cështje Penale.

Tahiri tha se operacionin e përbashkët në mes të organeve vendore dhe atyre gjermane për luftim të krimit të orhanizuar që u zhvillua në disa lokacione të Kosovës e ka autorizuar në bazë të kompetencave që lejon ligji.

Tahiri tha se është munduar vazhdimisht që emri i Kosovës të mos njihet si referencë e krimit.

“Si Ministër i Drejtësisë, jam përpjekur dhe do të përpiqem vazhdimisht që emri i Republikës së Kosovës të mos jetë referencë e krimit të organizuar dhe që shteti ynë të mos jetë vendstrehim, as vend transit dhe as vend i origjinës së kriminalitetit.

“Do të vazhdojmë tutje me përkushtim që kjo qasje e jona kundër krimit të organizuar të marrë dimension të plotfuqishëm në të gjitha nivelet”, ka thënë Tahiri.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Nën kompetencat që më lejon ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale, kam autorizuar një operacion të përbashkët në mes të organeve vendore dhe atyre gjermane në luftë kundër krimit të organizuar, i cili është zhvilluar  në disa lokacione të Republikës së Kosovës.

Profili i Republikës tonë çdo ditë e më shumë është duke u fuqizuar në partneritet bilateral dhe multilateral kundër krimit, në rang me vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vetëm me Gjermaninë kemi realizuar 33 ekstradime.  Operacioni i djeshëm tregon thellimin e  bashkëpunimit mes dy vendeve, dhe konfirmon edhe njëherë kredibilitetin e institucioneve tona  karshi partnerëve tanë ndërkombëtar.

Si Ministër i Drejtësisë, jam përpjekur dhe do të përpiqem vazhdimisht që emri i Republikës së Kosovës të mos jetë referencë e krimit të organizuar dhe që shteti ynë të mos jetë vendstrehim, as vend transit dhe as vend i origjinës së kriminalitetit.

Do të vazhdojmë tutje me përkushtim që kjo qasje e jona kundër krimit të organizuar të marrë dimension të plotfuqishëm në të gjitha nivelet.

(Kosova Sot Online)