Akuza të rënda ndaj Kadri Veselit: Është kapoja i organizatës kriminale, SHIK dhe...

  • 19 June 2019 - 15:36
Akuza të rënda ndaj Kadri Veselit: Është kapoja i organizatës kriminale, SHIK dhe...

“Kadri Veseli është pjesëtar dhe udhëheqës i një partie politike, e cila është gjeneruese e të gjitha të këqijave në Kosovë, përfshirë krimin e korrupsionin e deri te tradhtia më e lartë kombëtare”, theksoi Salihaj për “Kosova Sot Online”.

Zotimet e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli se luftën kundër krimit dhe korrupsionit do ta ketë prioritet në mandatin e tij të dytë në krye të partisë, vazhdojnë të ngjallin akoma reagime të fuqishme. Sipas analistëve, deklarata e Veselit është një përbuzje por edhe tallje ndaj qytetarëve të mashtruar e të zhvatur me vite të tëra, pikërisht nga kjo parti politike.

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj tha për “Kosova Sot Online” se është hipokrizi e madhe nëse dikush mendon që njerëzit e kupolës së krimit dhe korrupsionit do të reformohen dhe tani në krye të politikës dhe të institucioneve do të veprojnë ndryshe nga ajo që kanë bërë si pjesë e para politikës dhe mafies.

Image
Adem Salihaj

“A mund të jetë Kadri Veseli militant i "luftës" kundër krimit e korrupsionit, ndërsa vetë i zhytur deri në palcë në korrupsion, kapoja i organizatës kriminale SHIK, "luftëtari" dhe nismëtari i formimit të komisionit hetimor për "pastrimin" e listave të veteranëve, në të cilat, pjesën dërmuese të veteranëve të rrejshëm e përbëjnë anëtarët e partisë së tij, duke përfshirë këtu kryetarë degësh e kryetarë komunash?!! Vetëm një populli shumë të pavetëdijshëm e të manipuluar deri në palcë, mund t'i shiten demagogji dhe hipokrizi të tilla”, tha Adem Salihaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Salihajt, cv-ja e plotë e Veselit flet se ai vjen nga superstruktura kriminale politike prandaj është e pa logjikshme që tani dikush të ketë pritje pozitive nga një njeri i tillë, por vetëm mundë të presim shkatërrimin me themel të shtetit. 

“Kadri Veseli është pjesëtar dhe udhëheqës i një partie politike, e cila është gjeneruese e të gjitha të këqijave në Kosovë, përfshirë krimin e korrupsionin e deri te tradhtia më e lartë kombëtare. Shteti i Kosovës, i krijuar me vizionin rugovian dhe me sakrificën e madhe të Adem Jasharit e mijëra dëshmorëve e martirëve, ka mundësi të shkatërrohet nga njerëzit e korruptuar, të kriminalizuar e të shitur të kastës së Kadri Veselit e Hashim Thaçit”, përfundoi Salihaj për “Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)