
Lexoni edhe:
Mësojeni si do të jetë moti në Kosovë për pesë ditët e ardhshme
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillon të mërkurën një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me ish-drejtoren e Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks.
Kjo është hera e parë që ligjvënësit marrin në pyetje një person të rrethit të ngushtë të presidentit, që prej publikimit të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në muajin prill.
Mësojeni si do të jetë moti në Kosovë për pesë ditët e ardhshmeLexoni edhe:
Demokratët e konsiderojnë dëshminë e zonjës Hicks, ish-ndihmëse e ngushtë e Presidentit Donald Trump, një fitore të rëndësishme pasi zoti Trump i ka penguar gjerësisht hetimet e nisura prej tyre.
Komisioni kërkoi fillimisht që dëshmia e zonjës Hicks të ishte publike, por në fund ra dakord për një seancë me dyer të mbyllura. Një transkript i seancës pritet të publikohet në ditët në vazhdim.
Është e paqartë se sa informacion të ri do të ofrojë Hope Hicks. Ajo ka bashkëpunuar gjerësisht me hetimin e zotit Mueller lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Një avokat i Shtëpisë së Bardhë, i pranishëm gjatë seancës dëgjimore, pritet ta ndalojë atë t’u përgjigjet disa pyetjeve.
Në një letër dërguar të martën kryetarit të komisionit Jerry Nadler, avokati i Shtëpisë së Bardhë Pat Patrick Cipollone shkruante se zoti Trump e kishte udhëzuar zonjën Hicks që të mos i përgjigjej pyetjeve “në lidhje me periudhën e shërbimit të saj si këshilltare e lartë e presidentit”.
Zoti Cipollone tha se zonja Hicks, si një nga ish-këshilltaret e larta të zotit Trump është “absolutisht imune” lidhur me dëshminë për shërbimin e saj ndaj presidentit për shkak të ndarjes së pushteteve mes degëve ekzekutive e legjislative.
Shtëpia e Bardhë ka përmendur gjithashtu privilegjin ekzekutiv në lidhje me shumë nga kërkesat e demokratëve, duke përdorur fuqinë e presidentit për të refuzuar dhënien e informacionit për të mbrojtur konfidencialitetin e procesit vendimmarrës të Zyrës Ovale.
Demokratët kanë argumentuar se përgjigjet e zonjës Hicks nuk mbrohen nga imuniteti apo privilegji ekzekutiv, sidomos pas bashkëpunimit të saj me zotin Mueller. Komisioni i ka kërkuar zyrtarisht zonjës Hicks të paraqesë dokumente, por ajo është pajtuar vetëm pjesërisht me këtë kërkesë
(Kosova Sot Online)