Ligjet nisin me shkarkimin e Presidentit, socialistët ftesë Metës për …

  • 20 June 2019 - 09:02
Ligjet nisin me shkarkimin e Presidentit, socialistët ftesë Metës për …

Komisioni i Ligjeve nisi dje zyrtarisht procedurën për shkarkimin e Ilir Metës.

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit u paraqit kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i cili bëri edhe parashtrimin e kërkesës së firmosur nga 55 deputetë socialistë. Balla theksoi se dekreti i Presidentit është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe se ka cenuar sovranitetin e popullit.

“Presidenti nxori dekretin për anulim të datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Me anulimin e datës, duke e konsideruar si shkelje të rëndë të Kushtetutës, kemi depozituar kërkesën për shkarkim. Dekreti vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese, pasi është cenuar rëndë sovraniteti i popullit. Presidenti i hoqi sovranit të drejtën për të qenë i tillë. Anulimi dhe moscaktimi i një date të re zhbën të drejtën e sovranit për të qenë i tillë. Presidenti zgjati afatin e qëndrimit në detyrë të organeve të pushtetit vendor. Bie në kundërshtim me parimet kushtetuese që përcaktojnë periodicitetin e zgjedhjeve”, deklaroi Balla.

Në vijim të prezantimit të argumenteve, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së u shpreh se Meta ka cenuar rëndë Kushtetutën.

“Nisur nga natyra e aktit të Presidentit, duke u sjellë arbitrarisht, duke cenuar parimin e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, duke nxjerrë akte në kundërshtim me Kushtetutën, vlerësojmë se këto përbëjnë shkelje shumë të rënda nga Presidenti aktual dhe për pasojë kërkojmë nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, deklaroi Balla.

Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Presidenti ka shkelur traditën kushtetuese të konsultimeve me palët.

“Në vitet 2007 e 2017 ishte situatë krejt tjetër, sepse palët kishin dakordësi për shtyrjen e zgjedhjeve, por pa cenuar ligjin dhe afatet e periudhës zgjedhore. Në rastin konkret është krejt ndryshe, pasi kalon afatet kushtetuese”, tha ai duke shtuar më tej se me aktin e tij, Presidenti mori kahjen nga opozita.

Pas prezantimit të bërë, deputetët e Komisionit të Ligjeve ngritën pyetje për propozimin e sjellë në këtë Komision. Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni, kërkoi që kjo kërkesë të shtyhej për në muajin korrik, pas zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Por kjo kërkesë e tij u rrëzua, pasi Komisioni miratoi kalendarin e punimeve për këtë çështje, sipas së cilës brenda datës 26 qershor Komisioni do të mbyllë të gjithë procedurën për t’i paraqitur seancës kërkesën për shkarkimin e Presidentit.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, theksoi se njoftimi për këtë procedurë i është bërë edhe Presidentit të Republikës, duke shtuar se ai është ftuar për t’u paraqitur në Komision dhe për t’u dëgjuar.

Mbledhja e radhës së Komisionit për këtë çështje u caktua ditën e hënë, ku pritet edhe përgjigjja nga ana e institucionit të Presidentit nëse do të paraqitet për t’u dëgjuar apo jo.

(Kosova Sot Online )