Presioni i madh nga Merkel dhe Macron, ja kushti për t’u mbajtur Samiti i Parisit

  • 20 June 2019 - 11:11
Presioni i madh nga Merkel dhe Macron, ja kushti për t’u mbajtur Samiti i Parisit

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kërkojnë garanci para Samitit të Parisit.

Përfaqësuesit e Berlinit dhe Parisit gjatë kësaj jave do të zhvillojnë disa takime jozyrtare me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi në përgatitje të Samitit të Parisit më 1 korrik.

Burime nga qarqet diplomatike kanë thënë se tashmë janë zhvilluar disa takime të tilla.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron nuk kanë më vend për gabime, edhe një takim i liderëve rajonalë pa ndonjë rezultat, si ai në Berlin, do të ishte debakël për ta.

“Në ditët e kaluara janë zhvilluar takime me krerët e Kosovës. Berlini dhe Parisi mundohen të shtojnë presionin ndaj Haradinajt dhe Thaçit të heqin taksën në mënyrë që të bëhet ndonjë hap sa do i vogël në negociata mes të dyja palëve”, tha një burim i “Blic”. 

Dy prej fuqive më të mëdha të botës nuk mund t’i lejojnë vetes përsëritjen e skenarit që ndodhi në Berlin kur në Gjermani u mblodhën liderët rajonalë, por pa ndonjë rezultat.

Pa garancë se do të arrihet ndonjë përparim, takimi i radhës në Paris nuk do të zhvillohet fare, thanë burime të “Blic” duke shtuar se Perëndimit iu kanë mbetur edhe pak ditë kohë t’i bind zyrtarët nga Prishtina.

(Kosova Sot Online)