Punëtorët e Telekomit paralajmërojnë bojkot: Me 30 korrik merr fund zhvatja nga Z-Mobile

  • 20 June 2019 - 11:49
Punëtorët e Telekomit paralajmërojnë bojkot: Me 30 korrik merr fund zhvatja nga Z-Mobile

Përmes një konference për media, sindikata e punëtorëve të Telekomit kanë bërë të ditur se data 30 korrik do të jetë dita e fundit e zhvatjes së Telekomit nga Z-Mobile.

Kreu i kësaj sindikate, Lahmi Balaj, ka thënë se si punëtorë kërkojnë ndalimin e kësaj kontrate që sipas tyre është e dëmshme.

“FSP-PTK bashkë me punëtorët janë të bashkuar si asnjëherë më parë që njëherë e përgjithmonë ta largojmë krimin dhe korrupsionin nga Telekomi i Kosovës. Data 30 korrik 2019 është dita kur Telekomi do të lirohet nga kontrata me Z-Mobile. Ne jemi të vendosur si punëtorë bashkërisht pa marrë parasysh çmimin që do të paguajmë, që data 30 korrik 2019 do të jetë dita e fundit e Z Mobile si zhvatëse e Telekomit të Kosovës”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate, Lahmi Balaj.

FSP e PTK-së në emër të punëtorëve ftoi të gjitha institucionet shtetërore kompetente që t’i bashkohen kauzës së tyre, pasi sipas tyre, ndalojnë një dëm të madh që i ka ndodhur Telekomit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)