Grushte ndaj aktivistëve, Krasniqi ‘shpërthen’ ndaj PDK-së

  • 20 June 2019 - 15:00
Grushte ndaj aktivistëve, Krasniqi ‘shpërthen’ ndaj PDK-së

“Shoqëria civile ose përdoret nga partitë politike për interesa të tyre, ose ajo pjesa e paanshme politike shtypet nga pushteti. PDK-ja e dha shembullin e keq që shoqëria civile në Kosovë duhet të shtypet barbarisht”, u shpreh Krasniqi për “Kosova sot Online”.

Qërimin fizik të hesapeve që ndodhi të hënën nga sigurimi i PDK-së kundër prestarëve të shoqërisë civile që po manifestonin kundër miratimit të ligjit të ri, të plotësuar e të degraduar për financimin e partive politike, e ka kritikuar ashpër analisti politik, Faik Krasniqi.

Krasniqi tha për “Kosova Sot Online” se kjo ndërhyrje e punëtorëve të sigurimit pranë zyrave të PDK-së tregon më së miri se sa e brishtë dhe pa formësuar është kultura politike demokratike dhe toleranca qytetare në Republikën e Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

“Kjo ngjarje tregon që partitë politike në Kosovë janë akoma shumë larg demokracisë së botës së civilizuar. Në gjithë botën shoqëria civile respektohet, dhe pse është edhe bartëse e ndërtimit të shtetit, institucioneve dhe demokracisë. Kurse tek ne është e kundërta”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Madje në raste të caktuara, sipas Krasniqit, shoqëria civile edhe po keqpërdoret për interesat partiake, e nëse nuk arin të bëhet kjo atëherë sulmohet.

“Shoqëria civile ose përdoret nga partitë politike për interesa të tyre, ose ajo pjesa e paanshme politike shtypet nga pushteti. PDK-ja e dha shembullin e keq që shoqëria civile në Kosovë duhet të shtypet barbarisht”, tha analisti Krasniqi për “Kosova sot Online”. 

Sipas tij, në një shtet demokratik hetimi i financimit të partive politike i takon organeve të drejtësisë, por në Kosovë drejtësinë e udhëheqin të fortit e politikës dhe para politikës.

“Nuk pres asgjë nga kjo shoqëri civile që përdoret nga partitë politike, nga njëri apo krahu tjetër. Edhe financat e shumë OJQ-ve janë shumë të dyshimta. Ky vend funksionon në errësirë. Çdo gjë është kriminale dhe e pistë”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)