Tahiri: Kosova e ka detyrim politik dhe interes madhor kujdesin për shqiptarët e Luginës

  • 20 June 2019 - 15:48
Tahiri: Kosova e ka detyrim politik dhe interes madhor kujdesin për shqiptarët e Luginës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me ftesë të Kryetarit të Komunës së Bujanocit z. Shaip Kamberi, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës fillore në fshatin Samolicë të kësaj komune. Punimet në këtë shkollë janë kryer me mjete të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e dhënë nga ministri Tahiri.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, ministri Tahiri ka theksuar se një ndër vizitat e para pas marrjes së mandatit, e kishe bërë në këtë komunë, për të ndihmuar në projektet që drejtpërdrejt ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve të kësaj ane.

“Me anë të asaj vizite kam pasur për qëllim që ta vendosi një standard të ri në politikën e Qeverisë së Kosovës, ku kontributi dhe angazhimi për të lehtësuar dhe përmirësuar jetën e banorëve shqiptarë të Luginës  të jetë një interes madhor dhe detyrim politik primar i institucioneve të Kosovës”  ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka potencuar se çdo investim në Luginë të Preshevës në fushën e arsimit është investim në zhvillimin e këtij rajoni, dhe se Kosova e ka obligim që të jetë sa më aktive në këtë drejtim.

“E drejta për shkollim dhe arsim është një e drejtë fundamentale demokratike njerëzore. Mirëpo, kjo e drejtë nuk mund të ushtrohet nëse mungojnë kushtet bazike. Ajo shndërrohet vetëm në një të drejtë formale pa përmbajtje” ka theksuar ministri Tahiri.

Nga ana e tij, kryetari i komunës së Bujanocit, z. Shaip Kamberi, ka potencuar se iniciativa e ministrit Tahiri i ka hapur rrugë shumë bashkëpunimeve tjera me Qeverinë e Kosovës, që aktualisht janë duke u realizuar në këtë komunë.

(Kosova Sot Online)