Shpend Ahmetit i “flenë” paratë në komunë, Raporti i Auditimit e nxjerr keq

  • 20 June 2019 - 16:39
Shpend Ahmetit i “flenë” paratë në komunë, Raporti i Auditimit e nxjerr keq

Komunës së Prishtinës i kanë tepruar plotë 23.3 milionë euro nga viti 2018. Të holla këto të grumbulluara edhe nga vitet paraprake. Raporti i përgjithshëm i auditimit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 kjo Komunw ka realizuar vetëm 43 për qind të mjeteve për investime kapitale. Ndërkaq kritika ndaj qeverisjes së Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës ka edhe opozita e cila thotë se ai nuk po di t’i menaxhojë mjetet.

Në raportin e auditimit thuhet se në Komunën e Prishtinës ka mangësi sa i përket qeverisjes, veçanërisht në  zbatimin e ulët të rekomandimeve nga viti paraprak, monitorimi i listës së rreziqeve, mungesë konkrete në rritjen e të hyrave, e në disa pika të tjera.

“Sipas Ligjit për planifikimin hapësinor planifikimi i nivelit lokal bëhet përmes tri dokumenteve. Plani Zhvillimor Komunal; Harta Zonale e Komunës; dhe planet Rregulluese të Hollësishme. Aktualisht komuna vazhdon të ketë Planin Zhvillimor Komunal 2012-2022, i cili ishte monitoruar. Po ashtu komuna ka krijuar grupet për hartimin e hartës zonale si dokument fillestar për krijimin e strategjisë, pas së cilës do të krijohet Plani i ri Zhvillimor Komunal. Asistencë teknike/financiare për hartimin e planit të ri zhvillimor komunal dhe hartës zonale do të ofrojë Ministria e Mjedisit dhe planifikimit Hapësinor”, theksohet në raportin e auditimit.

Ndërkaq se Komuna e Prishtinës nuk po menaxhon mirë thotë edhe Kenan Gashi, Drejtori i nga rrjetit të OJQ-ve Avonet, që e monitoron dhe hulumton punën e komunave të Kosovës.

“Raporti i auditorit të përgjithshëm i ka specifikuar disa prej të metave që Komuna e Prishtinës i ka, duke mos menaxhuar mirë projektet kapitale dhe bartjen e 23.3 milionë tregon se kjo komunë nuk ka një planifikim dhe qeverisje të mirë, si në realizimin e projekteve kapitale ashtu edhe në projektet që janë të rëndësishme për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Gashi.

Ai tutje shton se raporti i auditorit tregon në detaje që Komuna e Prishtinës nuk po menaxhohet mirë, e kjo është si pasojë e qeverisjes jo të mirë.

“Kemi pasur edhe disa rekomandime dhe vërejtje që janë përcjellë në vazhdimësi nga auditori i përgjithshëm, ky raport tregon në detaje që kjo komunë nuk mundur të bëjë pagesa të rregullta për projektet kapitale, nuk ka planifikim buxhetor as për autobusët që i ka blerë dhe është një çështje që kjo komunë sikur të kishte një qeverisje dhe planifikim më të mirë nuk do t’i kishte këto probleme”, thekson Gashi.

Ndërkaq ai thotë se bartja e mjeteve financiare nga viti në vit është si rezultat i planifikimit jo të mirë, pasi po flitet për shuma të larta parash që mund të shërbenin për realizimin e shumë projekteve të premtuara.

E kritika ndaj qeverisjes së Shpend Ahmetit kanë edhe partitë opozitare në Komunën e Prishtinës. Eman Rrahmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në KP, ka thënë për media se kryeqyteti është në kolaps për shkak të menaxhimit jo të mirë nga kryetari Ahmeti.

“Tash për tash për shkak të ambicieve të sëmura te Shpend Ahmetit po e vuan qytetari i Prishtinës, jemi dëshmitar të kolapsit të Prishtinës, ajo tashmë nuk ka zhvillim është e ngulfatur dhe nuk ka shpresë se do të ndryshojë për të mirë. Ambiciet e sëmura personale e dërguan Kryetarin në rrugë pa kthim, kjo rrugë tashmë që edhe vetë po e sheh fundin e tije politik, faturën do të paguajnë qytetarët e Prishtinës me mos zhvillim. Çdo ditë e humbur me këtë kryetar e këtë udhëheqje në Prishtinë është kthim mbrapa në zhvillim”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka shtuar se projektet kapitale të investuara në vitin 2018 nuk kanë arritur të shpenzojë as bartjen financiare të vitit 2017.

Ndërkaq ka folur edhe për tenderët të cilët janë anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Ai thotë se OSHP’ja ka anuluar tenderët  më shumë se çdo herë tjetër për shkak të gjetjeve të shumë parregullsive.

E sipas Rrahmanit mbi 60 për qind të projekteve të parapara nuk janë realizuar, si pasojë e mos investimeve në projekte vitale siç janë ndërtimi i shkollave, kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit dhe investime tjera të domosdoshme.

“Fatkeqësisht nëse u referohemi dokumenteve si buxheti 2019, dhe korniza afatmesme 2019-2021, shihet që Prishtina do t’i humbë katër vite këtë me këtë qeverisje, nuk ka asnjë projekt që vlen të përmendet, korniza afatmesme është përshkrim i vitit 2019 vit pas viti. Vet fjala që janë diku rreth 45 milionë mjete të pashpenzuara flet që ata kanë dështuar plotësisht në realizimin e planit financiar në vitin 2018”, thekson Rrahmani.

Asamblisti nga radhët e LDK’së në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, ka thënë se mjetet financiare janë grumbulluar nga vitet paraprake ndërkaq nuk janë realizuar projektet e premtuara.

“Janë grumbulluar mjete të bartura nga viti në vit ndërkaq projektet nuk janë përfunduar. Është dashtë të përfundojë projekti i rrugës A dhe kolektori nën rrugën A, ndërtimi i shtatë shkollave, e cila ka mundur të realizohet për dy vite financiare dhe kolektori me u ndërtu pjesë –pjesë, kanalizimi në Llukar dhe Mramor, Kolektori te Pallati i Drejtësisë, e të tjera projekte”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq në raportin e auditimit theksohet se sfidë në Komunën e Prishtinës mbetet niveli i ulët i realizimit të investimeve kapitale.

“Komuna e Prishtinës kishte shpenzuar 71% të buxhetit final për vitin 2018, që nënkupton një realizim jo të kënaqshëm në nivel të përgjithshëm. Sfidë mbetet niveli i ulët i realizimit të investimeve kapitale, çështje e përcjellë në vijimësi. Rreth 47% e buxhetit të investimeve kapitale ishte shpenzuar në tremujorin e fundit, derisa vetëm në dhjetor ishin shpenzuar 3.9 mil.€ apo 23% e total shpenzimeve për kapitalet. Kjo paraqet një tregues se të projektet kapitale ka vonesa si në kryerjen e punëve ashtu edhe tek proceset e prokurimit”, thuhet në raport.


(Kosova Sot Online)