Analisti nga SHBA ‘godet’ rëndë Kadri Veselin: Kjo është loja e tij me...

  • 21 June 2019 - 07:26
Analisti nga SHBA ‘godet’ rëndë Kadri Veselin: Kjo është loja e tij me...

“Shpresa e qytetarëve do të rifillojë të kthehet me largimin nga SHIK-pushteti i Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, bashkë me të cilët do të zbehet edhe nepotizmi, militantizmi partiak, ndikimet politike në drejtësi, polici, ekonomi etj”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Ramiz Bojaj duke folur lidhur me vendimin e kreut të PDK-së, Kadri Veseli që t’i lirojë nga detyra disa figura të kësaj partie politike që aktualisht kanë problem me ligjin, ka thënë se ky është vetëm një spektakël mediatik , ngase, sipas tij, Kadri Veseli është në panik nga pësimi i ndonjë debakli politik në zgjedhjet e ardhshme dhe si i tillë ka marrë disa veprime, kinse në luftën kundër krimit e korrupsionit.

Image

 

“Realisht, të apostrofuarit e shkarkuar, liruar nga detyra e zyrtarëve të lartë të PDK-së siç është rasti me Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësish, Besim Beqaj, zëvendësministrin e FSK-së Agim Çekun, Nijazi Kryeziun, pastaj, tre kryetarë degësh, Sami Lushtaku, Sokol Bashota e Xhemajl Mustafa, (të cilët janë në procese gjyqësore), më tepër është fushatë mediatike se sa veprim konkret. Ky konstatim vjen nga fakti se e gjithë kjo strukturë funksionale keqpërdoruesish të detyrës zyrtare, vjedhje, arrogancë, veprimtari të krimit të organizuar etj, e kanë zanafillën tash e 20 vjet më parë, e të cilat nuk mund të amnistojnë as kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli”, tha Bojaj për Kosova Sot Online”.

Bojaj thotë se Veseli duhet të tregojë se ku ishte dhe a ishte gjallë qe 20 vjet, ku mafio-oligarkët shkatërruan të gjithë resorët makro ekonomikë në vend, zhvatën e molën korporatat dhe ndërtuan sistem korruptiv pothuajse në të gjitha poret e jetës në vend dhe kanë kapur edhe drejtësinë.

“Me gjykatës të zarfeve, me klika e klane të egra në polici, qeveri, drejtësi, korporata nuk mundë të luftohet krimi e as korrupsioni, por as të kthehet besimi tek qytetarët. Lirohen zyrtarët e korruptuar, për t'u pastruar si të pafajshëm nga drejtësia e kapur dhe gjykatësit e shitur. Thjeshtë ky është taktizim për t'i hedhë hi syve popullit por edhe miqve tanë ndërkombëtarë, sidomos ndaj SHBA-ve, Anglisë e Gjermanisë, qeveritë e të cilave, me shumë të drejtë, kanë lëshuar kritika të ashpra për krimin e organizuar në Kosovë, për shtetin e kapur e të sunduar nga bandat mafioze por edhe për nepotizëm, fajde dhe afera tjera antiligjore”, theksoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Pavarësisht kësaj loje, Bojaj thotë se Kadri Veseli nuk mund të rikthejë shpresat e besimin e humbur të qytetarëve.

“Shpresa e qytetarëve do të rifillojë të kthehet me largimin nga SHIK-pushteti i Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, bashkë me të cilët do të zbehet edhe nepotizmi, militantizmi partiak, ndikimet politike në drejtësi, polici, ekonomi etj”, përfundoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)