Apostolova pret të pastrohet politika kosovare, të shkarkohen të gjithë ata që kanë aktakuza jo vetëm ministrat

  • 21 June 2019 - 09:02
 Apostolova pret  të pastrohet politika kosovare, të  shkarkohen të gjithë ata që kanë aktakuza jo vetëm ministrat

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova po vazhdon të kërkon nga partitë politike që të pastrojnë radhët e tyre nga të gjithë ata individ që kanë problem me ligjin. Apostolova, ka thënë se pret që nga institucionet e Kosovës të largohen të gjithë ata zyrtarë që kanë aktakuzë, dhe këtu të mos jenë vetëm ministrat, por edhe drejtor agjencish e pozita tjera të larta. Ajo ka thënë se ka mirëpritur vendimin e PDK-së për të larguar nga pozitat e larta njerëzit e kësaj partie të cilët janë me aktakuza sepse sipas saj në Kosovë të shihen njerëz në pozita të larta që janë në nivel të përgjegjësisë për pozitat e tyre.

{/389052}

Apostolova kërkon tani që shembullin e PDK-së ta ndjekin edhe subjektet tjera politike.

“Por, këtu, dua të them që ky është vetëm fillimi, është maja e ajsbergut, sepse kemi parë largime të vetëm disa personave. Por, siç e dimë, ne e ju, ka edhe shumë të tjerë dhe shpresoj që udhëheqësi e PDK-së s’do të aplikojë qasje të fragmentuar, por se vërtetë do t’i largojnë të gjithë njerëzit që kanë fituar pozita, jo në baza meritore dhe të cilët janë emëruar me nepotizëm. Gjithashtu, shpresoj se edhe partitë e tjera politike do të veprojnë pas këtij hapi tejet pozitiv”, ka thënë Natalya Apostolova.

Madje ajo e ka quajtur Ironike emërimin e udhëheqësit të Zyrës Ligjore të ministrisë së Inovacionit, Lulzim Kadriu, që më parë ishte dënuar për korrupsion. “Mendoj që të gjitha këto poste të cilat tani, përmes reformës së re të administratës publike, duhet të shkojnë në procedura të caktuara të përzgjedhjes, të gjitha duhet shikuar me kujdes. E dini mbase se është një projekt britanik që mbështet këtë procedurë të përzgjedhjes dhe dëshirojmë që ky proces të jetë sa më transparent, sepse edhe zgjidhen njerëzit e mirë, ajo që duhet është që popullata ta rikthejë besimin mbi qeverisjen në Kosovë. Momentalisht shohim një mungesë të kësaj besueshmërie dhe kjo nuk është rastësi. Prandaj, do të thosha që do të ishte mirë që të gjitha këto pozita, jo vetëm të ministrave apo zëvendësministrave, të rishikohen të gjitha pozitat e larta”, ka shtuar Apostolova.

(Kosova Sot Online )