Beogradi kurdis planin për ‘katastrofë humanitare’ në veri

  • 21 June 2019 - 12:09
Beogradi kurdis planin për ‘katastrofë humanitare’ në veri

Dyqane të boshatisura ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, që për qëllim kanë pasqyrimin e një gjendje të rëndë të ashtuquajtur ‘katastrofë humanitare’ për qytetarët e veriut, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, të dirigjuar nga Beogradi.

Kështu Beogradi zyrtar po vazhdon përpjekjet e vazhdueshme të sulmeve ndaj Kosovës, që për synim kanë destabilizimin e veriut të saj.

Burime të sigurta të KosovaPress-it, bëjnë të ditur se një takim urgjent është mbajtur të mërkurën mbrëma në hotelin ‘Gray’ në veri të Mitrovicës, ku kanë marrë pjesë kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore, disa afaristë të shquar të asaj pjese, përfaqësues ilegalë të institucioneve, si dhe një zyrtar i lartë i Qeverisë nga Beogradi, me ç’rast, veç tjerash, është hartuar plani për ‘katastrofën humanitare’ në veri.

“Nga depotë dhe dyqanet në veri tashmë veç ka filluar largimi dalëngadalë i artikujve ushqimorë elementarë, në mënyrë që prej ditës së hënë të mos mbetet asgjë. Të hënën do të ftohen të gjitha mediat edhe nga Serbia dhe do të pasqyrohet gjendje katastrofe për qytetarët në atë pjesë të Kosovës’, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se personat e angazhuar përgjegjës për një organizim të tillë janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq etj, të gjithë këta njerëz shumë të besueshëm të kapos së krimit në atë pjesë, Millan Radojçiqit.

Mësohet po ashtu se ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq.

(Kosova Sot Online)