Blerim Devolli gënjen nën betim, Milaim Zeka tregon që ishin takuar dikur në Pejë

  • 21 June 2019 - 14:00
Blerim Devolli gënjen nën betim, Milaim Zeka tregon që ishin takuar dikur në Pejë

Blerim Devolli sot është paraqitur para Komisionit Hetimor të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjendjen në PTK dhe Vala, lidhur kontratën që kompania e tij ‘Z mobile’ ka nënshkruar me PTK’në.

Mirëpo edhe përkundër faktit se në fillim ishte betuar para Komisionit se do ta thoshte vetëm të vërtetën, Blerim Devolli është nxjerrë në rrenë nga anëtari i këtij komisioni hetimor, Milaim Zeka. Pra Blerim Devolli ka gënjyer nën betim, vepër kjo që sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovë.

Gjithçka ka filluar me pyetjen e anëtarit të këtij komisioni nga PDK, Bekim Kamishi, e cili e ka pyetur fillimisht Blerim Devollin se a e ka takuar ndonjëherë dhe se a ka ndonjë konflikt interesi me ndonjërin prej deputetëve që janë pjesë e Komisionit Hetimor.

“A e ke pas naj takim paraprak me ndonjërin prej deputetëve, dhe a njihesh a ki raporte më ndonjërin prej deputetëve, a po konflikt interesi apo biznesor me ndonjërin prej deputetëve që janë pjesë e këtij paneli hetimor”, e ka pyetur Bekim Haxhiu.

Ndërkohë Blerim Devolli është përgjigjur shkurtimisht me “JO”.

Më pas ka vazhduar përsëri fjalën deputeti i PDK’së, Bekim Kamishi.

“Domethënë në asnjëherë mes veti s’jemi takuar asnjëherë. Pra as raporte as klienteliste as shoqërore, s’ke me asnjërin prej deputetëve”, ka vazhduar Kamishi.

Ka qenë deputeti Milaim Zeka i cili ka konfirmuar se ishte takuar dikur me Blerim Devollin dhe se babain e tij e kishte mik, duke konfirmuar se Blerim Devolli nuk ka treguar të vërtetën nën betim.

“Unë nuk  e kam asnjë problem me të taku ty kur të duash. Sepse ti nuk je as kriminel as kurgjo. Na jemi shoqëri e vogël, krejt jarana e kusherina. Unë ta kam njoftë babën, edhe jom ardhë të kam vizitu, ti me flakë jë kanë me gazetarët anlgez në Pejë, kur u kanë krejt e djegt Peja. A po kupton, dhe unë smundem me e mohu një gjë të tillë”, ka thënë anëtari i Komisionit Hetimor, Milaim Zeka.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës NR.06/L-074, Deklarimi i rremë nën betim dënohet me gjobë ose deri në 3 vjet burg.

 “Kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë   e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje  relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në Pikën 1 të Nenit 383 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)