Loja me shifrat e uljes së shkallës së papunësisë

  • 21 qershor 2019 - 18:13
Loja me shifrat e uljes së shkallës së papunësisë

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, ka shënuar rënie në 26.9 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kur ishte 31.4 për qind.

Por, nëse krahasohen të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në periudhën janar – mars të këtij viti me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë ka shënuar rritje të lehtë.

Të dhënat e fundit të uljes së shkallës së papunësisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka quajtur “lajm i mirë për qytetarët dhe dëshmi e zhvillimit ekonomik të brendshëm”, kurse deputetët nga subjektet opozitare kanë thënë se ”nuk ka lajm të mirë në numrat e papunësisë”.

Ndërkohë, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se në Kosovë nuk ka ndonjë indikacion që siguron rritjen e punësimit në vend.

Sipas tyre, politikë-bërësit janë duke interpretuar të dhënat për interesa politike, në veçanti duke u përgatitur për zgjedhje të reja.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se indikatorët ekonomikë tregojnë se Kosova është në një situatë të palakmueshme ekonomike, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, çka, sipas tij, nuk mund të flitet për rritje të numrit të shkallës së punësimit.

“Ajo që është shqetësuese, është fakti se flitet për punësim, mirëpo askush nuk e analizon gjendjen shqetësuese që rinia është duke ikur nga Kosova.

“Kur krahasohet migrimi dhe dilet me konstatime të tilla që ka rritje të punësimit, vërtet është një keqinterpretim, manipulim dhe mbi të gjitha është një dëm që i bëhet Kosovës dhe realitetit të saj”, thotë Gërxhaliu.

Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se statistikat e fundit të ASK-së tregojnë një fakt – që ulja e papunësisë ka ndodhur për grup moshat 15-24 vjeçare. Nga 57.3 për qind të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-s, tregon një ulje për 7 për qind, konkretisht 50.6 për qind.

Këto statistika, siç ka shkruar të enjten kryeministri Haradinaj në rrjetin social Facebook, janë lajm i mirë për gjithë qytetarët dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik.

Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se nuk ka “lajm të mirë në numrat e papunësisë”. Sipas tij, aktualisht në Kosovë mungojnë 24 mijë vende punesa kanë qenë dy vjet më herët.

Por, Safet Gërxhaliu thotë se nëse ka pasur rritje të punësimit, kjo mund të ndodhë vetëm në sektorin publik.

“Nëse ka rritje të punësimit,atëherë me siguri nisemi nga parimi (i punësimit ) në sektorin publik, ai që është duke gjeneruar vende pune, e që është mjerimi më i madh i një ekonomie. Punësimi i mirëfilltë është kur sektori privat zhvillohet, investimet e huaja rriten, kontratat e kompanive vendore forcohen. Dhe, në këtë mënyrë, krijohet një stabilitet social”, vlerëson Gërxhaliu.

Sidoqoftë, në anketën e Fuqisë Punëtore të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përveç uljes së shkallës së papunësisë, vërehet se është rritur shkalla e jo-aktivitetit në mbi 61 për qind (persona, të cilët gjatë periudhës referente nuk ishin as të punësuar as të papunë), pastaj është zvogëluar përqindja e të vetë-punësuarve dhe personave që punojnë pa pagesë në ndonjë biznes familjar.

Në këtë anketë numri i banorëve paraqitet rreth 1.8 milion. Nga ky numër 1.2 milion banorë janë popullsi në moshë pune (15-64), prej të cilëve 341 mijë janë të punësuar dhe 125 mijë të papunë.

Kurse, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve ishte më shumë se 342 mijë, kurse i atyre të papunë më shumë se 123 mijë.

(Kosova Sot Online)