Profesori universitar: Pa u larguar Haradinaj nuk ka liberalizim vizash, kjo qeveri...

  • 21 June 2019 - 19:08
Profesori universitar: Pa u larguar Haradinaj nuk ka liberalizim vizash, kjo qeveri...

“Ky njeri duket se flet plotësisht kotë së koti. Për këtë temë ky fare nuk ka nevojë të prononcohet sepse kjo është e dijshme, BE-ja është prononcuar qartë, se nuk ka liberalizim të vizave pa luftimin e korrupsionit, nepotizmit, emërimit në poste të larta të njerëzve me probleme ligjore dhe pa meritë, dhe njerëzve me probleme me drejtësinë ndërkombëtare”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

Profesori universitar, Blerim Burjani, njëherit edhe ekspert i së drejtës, ka reaguar pas deklarimit optimist të kryeministrit, Haradinaj për liberalizimin e shpejtë të vizave për kosovarët, pavarësisht se Këshilli i Ministrave të BE-së i dha një goditje të rëndë Kosovës.

Sipas Burjanit, pas zhvillimeve të fundit në BE dhe humbjes së shpresës për të hequr vizat ndaj shtetit të Kosovës, kryeministri bënë mirë që fare më mos të deklarohet, pasi sipas tij, e vërteta është shumë e hidhur për qytetarët që po presin me vite dhe po dëgjojnë premtime të kota nga politika vendore.

Image
Blerim Burjani

“Ky njeri duket se flet plotësisht kotë së koti. Për këtë temë ky fare nuk ka nevojë të prononcohet sepse kjo është e dijshme, BE-ja është prononcuar qartë, se nuk ka liberalizim të vizave pa luftimin e korrupsionit, nepotizmit, emërimit në poste të larta të njerëzve me probleme ligjore dhe pa meritë, dhe njerëzve me probleme me drejtësinë ndërkombëtare. Pra problem kryesor është mos funksionimi rendit dhe ligjit. Këtë e ka thënë dhe e ka bërë të qartë përfaqësuesja e BE-së në Prishtinë zonja Apostollova”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Burjani, mund të flitet për gjatë gjithë kohës kot, por tani për tani, edhe në këtë vit, nuk ka gjë sa i përket liberalizimit të vizave .

Madje ai është i sigurt që kjo përbërje e qeverisë aktuale nuk do ta ketë fare fatin që të festojë ditën kur do të hiqen vizat për kosovarët. 

Për ta përshpejtuar këtë proces, Burjani thotë se duhet të shkojë qeveria në shtëpi sa më herët aq më mirë.

“Pa heqjen e këtij kryeministri dhe kësaj qeverie s’ka kurrfarë liberalizimi të vizave dhe nuk mundë të ketë progres në asnjë fushë, se këta janë shkaktar të kësaj problematike”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)