“Skenari me dhunë i Ramës dështoi sonte”- Basha: Do të bëjmë gjithçka që rënia e kësaj kupole kriminale të vijë pa kosto

  • 21 June 2019 - 21:40
“Skenari me dhunë i Ramës dështoi sonte”- Basha: Do të bëjmë gjithçka që rënia e kësaj kupole kriminale të vijë pa kosto

Kreu demokrat Lulzim Basha në vijim të fjalës përpara protestuesve, tha se skenari për dhunë i kryeministrit Edi Rama dështoi sonte, duke nënvizuar se Shqipëria evropiane është sonte në shesh dhe mesazhi i saj po kumbon deri në Bruksel.

Basha e konsideron “pjesëmarrje oqeanike” atë të njerëzve në shesh, duke shtuar se ata do të jenë më të fortë deri në rrëzimin e qeverisë.

Basha tha se asnjë fije floku e tyre nuk mund të preket për largimin e Edi Ramës.

Basha: Vëllezër dhe motra, basti i vetëm i Edi Ramës është që kjo protestë e sotme të degjeneronte në dhunën e planifikuar nga provokatorët e Edi Ramës, nga veglat e tij qorre.

Jehona e BILD, e 339, në shqip, anglisht, gjermanisht ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Nuk ka burrë dhe grua shteti që nuk e di çfarë banditi është kryeministri i Shqipërisë. 

E vetmja mënyrë për ta mbytur këtë zhurmë ishte skenari i turpshëm i provokimit të dhunës në këtë protestë më të madhen dhe më qytetaren. Plani për të tërhequr nga skandali që sot dëgjon e tmerruar e gjithë Evropa dështoi. Tiktaku i orës së Edi Ramës po mbaron në çdo kancelari të Evropës dhe perëndimit.

Ndaj, asgjë nuk e shpëton dot më, as miqtë e tij kriminelë, policët e korruptuar dhe ministrat e zhytur në korrupsion, as lakejtë e blerë me miliona euro të lekëve të shqiptarëve.

Asgjë nuk e shpëton Edi Ramën nga verdikti i popullit evropian. Dua t’ju falënderoj nga zemra që i përgjigjet thirrjes time për të dalë në protestë. E gjithë bota sonte sheh kontrastin midis popullit evropian të Shqipërisë dhe bandës më antievropiane, më antiamerikane, despotike kriminale e Edi Ramës. Ndaj, sonte me këtë prani oqeanike, dijeni, dëgjojeni, sonte po vulosim vdekjen politike të organizatës kriminale të Rilindjes.

Me ndihmën e Zotit të madh asgjë nuk na ndal në marshin tonë drejt fitores. Ne jemi ndryshe nga banda e kriminelëve në pushtet, ne do të bëjmë gjithçka që rënia e kësaj kupole kriminale dhe triumfi i demokracisë mbi narkoshtetin të vijë pa kosto sepse largimi i sigurt i Edi Ramës nuk ia vlen fijen e flokut të asnjërit prej jush.

Në çdo qytet dhe në çdo lagje ne do të mbrojmë demokracinë dhe ligjin. Jemi garancia e vetme që mbrojmë pragjet e shtëpive tona. Një projekt i thellë ndryshimi na pret. Së bashku do ta votojmë. Ju meritoni që të keni ndryshimin që keni ëndërruar në 30 vite. Shqipërinë evropiane. Së pari duhet ta çojmë deri në fund betejën tonë për largimin e së keqes. 

Ndaj ju ftoj në këtë natë të zotohemi së bashku që hapat e fundit të kësaj beteje do të na gjejnë më të vendosur dhe të bashkuar se kurrë.

Mesazhi ynë sonte po kumbon në Paris dhe në Bruksel. Shqipëria evropiane është tani para syve të botës.

(Kosova Sot Online)