Demantohet keq Ramush Haradinaj, kjo është arsyeja

  • 22 June 2019 - 07:27
Demantohet keq Ramush Haradinaj, kjo është arsyeja

“Për shkak të dështimit të zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, mundohen që të manipulojnë me përqindje të numrit të papunësisë, gjoja është zbutur papunësia. Fakt është që papunësia do të bie, por Kosova dita-ditës po zbrazet”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së zhvillimeve ekonomike dhe politike në vend,që po e përcjellin hap pas hapi punën e kësaj qeverie të cilën e drejton kryeministri Haradinaj, i kanë vlerësuar si jo reale dhe mashtruese deklarimet e fundit të Haradinajt kinse për uljen e shkallës së papunësisë në Kosovë deri në masën prej 26.9% për periudhën Janar-Mars 2019, në krahasim me periudhën Tetor-Dhjetor 2018 që ishte 31.6%, e në anën tjetër papunësia në Kosovë është mbi 60 %.

Madje tek analistët politikë është krijuar bindja se nëse mund të flitet për ulje të numrit të të pa punëve në statistika, kjo shifër si e tillë vjen vetëm nga besimi i humbur i qytetarëve në institucione që nuk kanë interes as të paraqiten në Entin e Punësimit, por synimi i tyre është ikja jashtë vendit, e ku të gjithë jemi dëshmitar të rritjes së trendit të zbrazjes së Kosovës pikërisht nga moshat më të përshtatshme që paraqesin potencial të fuqisë punëtore, e që janë grupmoshat mbi 15 e deri në 54 vjeçare.

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi, duke mos u pajtuar fare me atë që e deklaron kreu i qeverisë, tha për “Kosova Sot Online” se tek çështja e punësimit gjithmonë është manipuluar me statistika, nga të gjitha qeveritë, përshirë edhe këtë të tashmen pasi gjendja është tepër e rëndë.

“Kosova kurrë nuk ka pasur statistika te sakta rreth njerëzve të punësuar dhe të të papunëve. Statistikat e Entit për punësim, janë shumë larg realitetit. Me ato statistika ky Ent dhe Qeveria bazohen nga njerëzit që lajmërohen si të pa punë dhe mbajnë shpresë që do punësohen, por shumica e të papunëve nuk lajmërohen fare”, tha Faik Krasniqi për Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se jo vetëm në Kosovë, por në asnjë vend të botës shteti nuk i ka statistikat ashtu krejt të sakta, as për numrin e banorëve, por edhe të njerëzve të punësuar dhe të papunëve. 

“Ne nuk e dimë saktë sa është numri i banorëve që jetojnë në Kosovë. Qeveria e tanishme mund të dal me shifra si të ka dëshirë, por është jashtë realitet. Për shkak të dështimit të zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, mundohet që të manipulojnë me përqindje të numrit të papunësisë, gjoja është zbutur papunësia. Fakt është që papunësia do të bie, por Kosova dita-ditës po zbrazet. Ky trend do të vazhdoje edhe gjatë viteve në vijim. Brenda pak viteve vendi do të ngelet vetëm me pleq e plaka”, përfunodoi analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online ).