Isa Mustafa shkel Statutin e LDK’së, i ka skaduar mandati katërvjeçar si Shef i Partisë

  • 22 June 2019 - 13:07
Isa Mustafa shkel Statutin e LDK’së, i ka skaduar mandati katërvjeçar si Shef i Partisë

Prej 31 majit të këtij viti, Isa Mustafa është duke mbajtur pozitën e Shefit të Partisë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të LDK’së, Statutin, i cili saktëson se mandati i organeve udhëheqëse është katërvjeçar. Megjithëkëtë, Partisë së Isa Mustafës i është aprovuar kërkesa nga KQZ’ja për shtyrjen e Kuvendit të Përgjithshëm.

Isa Mustafa dhe gjithë zyrtarët e LDK’së që kanë pozita udhëheqëse në Parti janë duke shkelur nenin 51 të Statutit të Partisë prej 31 majit të këtij viti.

Kjo për shkak se po vazhdojnë t’i mbajnë pozitat partiake përtej mandatit 4 vjeçar siç përcakton “Kushtetuta” e LDK’së.

Pika e 51.1 e Statutit të LDK’së shkruan se “Mandati i anëtarëve të organeve të zgjedhura të LDK-së është 4 (katër) vjet”.

Isa Mustafa ishte votuar për Kryetar të LDK’së para katër vitesh kur kishte vendosur që me aklamacion të votohej për Shef partiak. Atëkohë, e kishte eliminuar nga gara Vjosa Osmanin, e cila s’kishte arritur të plotësonte kriterin për t’i hyrë garës, ku kërkoheshin nënshkrimet e  50 plus një të delegatëve të LDK’së.

Në kohën kur ishte zgjedhur Shef për herë të dytë në LDK kishte pasur pozitën e Kryeministrit.

Për shtyrjen e Kuvendit të Përgjithshëm të LDK’së ku do të votohet Shefi i ri i Partisë është njoftuar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Valdete Deka, Shefe e KQZ’së, ka konfirmuar për Express se i është aprovuar kërkesa LDK’së për të shtyrë Kuvendin.

“LDK e ka bërë kërkesën dhe i është aprovuar shtyrja e zgjedhjeve të brendshme”, ka thënë Daka, të shtunën. Ajo ka treguar se edhe një partie boshnjake ia kanë aprovuar kërkesën për t’i shtyrë zgjedhjet e brendshme.

Sidoqoftë, as partia boshnjake, as LDK s’mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje nëse s’i mbajnë përfundojnë zgjedhjet partiake.

Ndërkohë, Rregullorja për Regjistrimin e Partive Politike, specifikon se një parti politike duhet t’i pezullohet regjistrimi nëse s’ka mbajtur zgjedhjet e brendshme brenda 4 viteve.

Sivjet zgjedhjet në LDK kanë nisur më 8 mars. Janë paraparë të përfundojnë në fund të verës, megjithëse, ka pasur paralajmërime se mund të shtyhen edhe deri në vjeshtë, kur edhe pritet të ketë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

Aktualisht, Shef i LDK’së është Isa Mustafa, i cili më herë ka mbajtur pozita pasluftës si anëtar i Bordit të UP’së, Kryetar i Prishtinës, Këshilltar i Presidentit, Kryeministër. Para luftës kishte mbajtur pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë e Bujar Bukoshit. Edhe para kësaj kohe, në kohën e sistemit komunist jugosllav, Mustafa kishte mbajtur pozitën Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit prej vitit 1984-88. Më pas, ishte pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Jusuf Zejnullahu, 1989-1990.

Isa Mustafa, Shef i LDK’së ishte bërë duke rrëzuar Fatmir Sejdiun dhe duke sharë SHIK’un dhe PDK’në me të cilët kishte lidhur marrëveshje më vonë për t’u bërë Kryeministër. Mustafa e kishte bërë ish-Shefin e SHIK’ut, Kadri Veselin Kryetar të Paralmentit e Hashim Thaçin President. Ndërkohë, më vonë Kryetari i PDK’së e kishte rrëzuar nga pozita e Kryeministrit.

Aktualisht në garë për Kryetar të LDK’së përpos Isa Mustafës janë edhe Luifti Haziri, Agim Veliu, Vjosa Osmani, Fatmir Sejdiu, Arban Abrashi e Avdullah Hoti.

Zyrtarë të LDK’së kanë thënë se Isa Mustafa po synon të bëhet President i Republikës në një marrëveshje edhe me ndonjërin prej zyrtarëve të partisë së tij që po synon të bëhet Shef i Partisë.

Image

(Kosova Sot Online)