Aksident i rëndë në Zvicër, ndërron jetë një kosovar

  • 22 June 2019 - 16:17
Aksident i rëndë në Zvicër, ndërron jetë një kosovar

Një shtetas i Kosovës, 46 vjeçar, me banim në Kantonin St. Gallen, ka humbur jetën në një aksident që ka ndodhur sot para orës 8.

Kosovari ka qenë duke e ngarë makinën tatëpjetë rrugës Tigelbergstrasse në drejtim të fshatit Berneck, kur, për shkaqe të panjohura, ka dalë nga rruga duke e goditur dhe depërtuar një rrethoje.

Pas kësaj, makina duket të jetë përplasur disa herë në bregun e rrëpishëm ku ka rënë pas kalimit të rrethojës.

Në fund, shoferi është katapultuar nga makina para se ajo të ndalej përfundimisht.
Mjeku i urgjencës dhe ekipi shpëtimtar i ardhur ndërkohë, kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen e kosovarit.

Incizimi i vendit të ngjarjes, për shkak të terrenit të vështirë, paraqitet i ndërlikuar dhe pritet të marrë një kohë të konsiderueshme, thonë në polici.

(Kosova Sot Online)