Ish-deputeti i PDK’së: S’duhet me ra në grackën e Veselit, po na shet mend

  • 22 June 2019 - 18:03
Ish-deputeti i PDK’së: S’duhet me ra në grackën e Veselit, po na shet mend

Kadri Veseli mesjaven që shkoi, pak ditë pasi që ishte rizgjedhur në krye të PDK’s, në një konferencë për media nga zyra e partisë së tij, kishte filluar nismën e tij, për të cilën thoshte se do ta  ‘çlirojë Kosovën nga korrupsioni’.

Veseli kishte vendosur që të lirojë nga detyra të gjithë zyrtarët e PDK’së të cilat mbajnë pozita në strukturat partiake e në institucione, e ndaj të cilëve ka aktakuza të konfirmuara.

Megjithatë një nismë të tillë nuk po e sheh serioze, ish-deputeti i PDK’së, Zafir Berisha, i cili tashmë është pjesë e NISMA-së së Fatmir Limajt.

Në një përgjigje për media, Berisha thotë se është një përpjekje për të ‘shitur mend’.

“Ideja e Veselit është me shit mend, tendencë për me paraqit ashtu si nuk është. Disa gjëra i rregullojnë ligjet, prandaj veprimet e Veselit edhe nuk ia vlen me i komentu”, ka thënë Berisha.

Zafir Berisha  thotë se kjo lëvizje e kreut të PDK’së është një kurth në të cilin nuk duhet rënë, pasi sipas tij procedurat gjyqësore në Kosovë zgjasin me vite.

“Në sistemin e drejtësisë që kemi në Kosovë, deri në 10 vite mbahen peng procedurat, s’di a duhet me ra në grackë të Veselit”, ka thënë Berisha.

Nga kjo lëvizje e Kadri Veselit, dorëheqje kanë dhënë Besim Beqaj nga posti i ministrit të Inovacionit dhe Ndëmarrësisë dhe këshilltari i Veselit, Nijazi Kryeziu.

Nga posti i zëvendësministrit pritet që të largohet edhe Agim Çeku, mirëpo për ta shkarkuar atë kryeministri Haradinaj ka thënë se duhet një shkresë zyrtare nga Kadri Veseli, pasi që posti i zëvendësministrit është politik.

Përveç këtyre mbetet të shihet nëse do të largohen nga PDK’ja, Adem Grabovci, Sami Lushtaku e zyrtarë të tjerë, ndaj të cilëve ka aktakuza të konfirmuara.

Këtë nismë të Kadri Veselit, e kanë përshëndetur nga zyra e BE-së në Kosovë dhe nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Apostolova ka thënë se është një shembull që duhet ndjekur, ndërsa ambasadori amerikan Philip Kosnett, ka thënë se e vlerësojnë një iniciativë të tillë të Veselit, dhe se do ta mbikëqyrin nëse do ta përmbushë gjithë premtimin e tij.

(Kosova Sot Online)