Denoncimi i rëndë: Edhe një alarm për Kosovën, kështu u instalua krimi dhe korrupsioni

  • 23 June 2019 - 07:45
Denoncimi i rëndë: Edhe një alarm për Kosovën, kështu u instalua krimi dhe korrupsioni

“Me këtë sistem të drejtësisë, të institucioneve të sigurisë dhe me këtë klasë politike Kosova e bë vend i territ, vend i mafies vendore e ndërkombëtare, me zyrtar të korruptuar që Kosovën e shfrytëzonin dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë edhe sot vetëm si trampolinë kaluese se si të pasurohen”, tha Miftari për Kosova Sot Online”.

Disa nga gjyqtarët ndërkombëtar që kanë shërbyer në Kosovë në periudha të ndryshme kohore, vazhdojnë të hedhin akuza ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës duke i cilësuar ato si të tej korruptuara për mënyrën se si kanë parë funksionimin e tyre, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

Image

Akuza të ngjashme janë hedhur edhe nga gjyqtarja suedeze e EULEX-it, Marie Tuma.

Ajo ka thënë se në Kosovë sundon krimi dhe prandaj sipas saj, duket se krejt shoqëria është ndërtuar mbi korrupsionin.

Analistët e fushës së sigurisë dhe të së drejtës konsiderojnë se kjo deklaratë është vetëm edhe një alarm tjetër për shtetin më të ri në Evropë dhe dëshmi se sa të frikësuar dhe të shantazhuar janë prokurorët në Kosovë nga politika dhe mafia kosovare.

“Deklarata e gjyqtares së EULEX-it, Marie Tuma se në Kosovë sundon krimi dhe se duket se krejt shoqëria është ndërtuar mbi korrupsion është shumë e saktë edhe pse do të doja të jetë krejt e kundërta”, tha eksperti i fushës së sigurisë, ish Agjenti i SHIK-ut Naim Miftari.

“Kosova fatkeqësisht pas luftës nuk i bëri hapat e parë si hapa të shëndoshë por u instaluan pothuajse katër a pesë sisteme në një vend të vogël dhe secili prej tyre kishte hisen e vetë që e la në fund një produkt final të dështuar. Ishte KFOR-i si pjesë e NATO-s, pastaj ishte sistemi i UNMIK-ut, mision i OKB-së, pastaj ishte BE-ja me misionin e EULEX-it dhe në krejt këtë hallakamë i mbështollën edhe KOMANDANTAT,pastaj ishin PACIFISTAT dhe Komunistët. Prandaj problemi lindi dhe mbeti se nga këto grupime asnjëri nuk tërhiqte në të njëjtin drejtim për rend e ligj por secili tërhiqte drejtimin e vet dhe në këtë ambient depërtoj pa asnjë pengesë dhe u rrënjos thellë krimi i organizuar. Në këtë ambient gjetën vend edhe kriminelët ndërkombëtar që derdhën në Kosovë si grabitqar të vërtetë që nën emblemën e UN-së dhe EU-së por edhe NATO- kishin ardhur në Kosovë me qëllime të ndryshme”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, kjo vazhdimësi e instalimit të krimit dhe korrupsionit nga ditët e para të pas luftës nuk është ndërprerë asnjëherë në asnjë fazë transitore.

“Është fatkeqësi që po e shohim me pasojat që po i bartim sot se që nga pas lufta, nga ditët e para, krimi u instalua kudo, në drejtësi, polici ,ekonomi dhe politikë.

Në çdo institucion vetëm vidhej e improvizohej që të vidhet edhe më shumë, kurse nga ana tjetër e përpjekjes për mashtrim premtohej nga politika drejtësi e pa varur, zhvillim ekonomik, politik social por nuk ndodhi asnjëherë asnjëra nga ato që u premtuan. Me këtë sistem të drejtësisë, të institucioneve të sigurisë dhe me këtë klasë politike Kosova e bë vend i territ, vend i mafies vendore e ndërkombëtare, me zyrtar të korruptuar që Kosovën e shfrytëzonin dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë edhe sot vetëm si trampolinë kaluese se si të pasurohen’, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)