“Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë nesër dekretin e Metës”- PD: Edi Rama ka vetëm një rrugë…

  • 23 June 2019 - 13:05
“Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë nesër dekretin e Metës”- PD: Edi Rama ka vetëm një rrugë…

“Kryeministri Edi Rama ka vetëm një rrugë për anulimin e dekretit të Presidentit të Republikës që shfuqizon 30 qershorin si ditën e zgjedhjeve dhe ajo është Gjykata Kushtetuese”.

Deklarata bëhet nga sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, sipas të cilit, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të gjykojë nesër këtë dekret, i publikuar në Fletoren Zyrtare.

“Rolin dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i marrë as Edi Rama, as kamikazët e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, as Kolegji Zgjedhor, siç ka paralajmëruar Kryeministri i votave të vjedhura me krimin”, thekson ai.

Kaso thotë se Rama gënjeu publikisht, kur pohoi për Radio Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kur aktet e Presidentit të Republikës lidhen me zgjedhjet, këto akte shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor.

“Ky është një mashtrim që nxjerr zbuluar skenarin e Edi Ramës për të ndërtuar një shtet privat, me institucione private, që marrin vendime në emër të interesave të pushtetit të tij kriminal dhe jo në emër të Republikës. Kolegji Zgjedhor nuk merr dot në shqyrtim kushtetutshmërinë apo ligjshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Edi Rama mund të kontrollojë vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, mund t’i shantazhojë gjyqtarët e këtij Kolegji me vetting, por nuk e ndryshon dot realitetin se data 30 qershor nuk është më datë zgjedhjesh lokale në Shqipëri”, u shpreh ai.

 

(Kosova Sot Online)